‘Fitoi’ betejën me kancerin në gjoks, e humbi me tumorin në kokë! Ndërron jetë në moshën 35-vjeçare mësuesja dhe këshilltarja e Bashkisë së Tiranës

Drejtoresha e shkollës 9-vjeçare “Ali Demi” dhe anëtarja e Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorina Kuka, ka ndërruar jetë.

Lajmin për ndarjen nga jeta të saj e ka bërë me dije kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj përmes një postimi në rrjetet sociale.

“E hidhur ikja nga jeta e koleges sonë të mirë, Dorina Kuka – mësuese, nënë, aktiviste dhe anëtare shembull e Këshillit Bashkiak! Kontributi i saj bujar për punët e mira të këtij qyteti, do të mbetet! Ngushëllimet më të ndjera familjes!” shkruan Veliaj.

Dorina Kuka për dy vite rresht u operua dhe kurua për masë tumorale në gjoks. Pas betejës me tumorin në gjoks, ajo u ekzaminua me masë tumorale në kokë, duke e rënduar edhe më tepër shëndetin e saj. Kuka u nis dhe drejt Italisë për një mjekim më të specializuar, por nuk ka arritur dot ta mposhtë sëmundjen e rëndë.