A do të kandidojë për Bashkinë e Tiranës? Ja si përgjigjet Dashamir Shehi

Kryetari i Partisë Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi nuk do të kandidojë për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e ardhshme lokale të vitit 2023.

Shehi deklaron se megjithëse emri i tij lakohet shumë sa herë që afrohet zgjedhjet vendore, në politikë po zhvillohet një brez i ri që mund të jetë më i përshtatshëm për të qenë kandidat.

Sipas tij, opozita nuk duhet të fokusohet te emrat dhe te numrat, pasi nuk është kjo forma e duhur për t’u ringritur.

“Unë përherë kur vjen Bashkia e Tiranës artikulohet. Në politikën shqiptare është rritur një brez djemsh që mund ta bëjnë këtë punë, se kjo është një punë ekzekutive, që mund ta bëjnë më mirë sesa unë. Unë nuk heq dorë nga betejat e mia politike. Nuk ka rëndësi se kush do jetë, në qoftë se nuk ka një frymë për ta shtyrë palën tjetër dhe opozita do jetë shumatore numrash, unë e gjykoj që nuk mund të ringrihemi duke numëruar numrat”, theksoi ai në një intervistë për “Euronews Albania”.