Del FOTO/ Kush është biznesmenia shqiptare që vdiq në Itali, italiani ecte në krahun e kundërt

E reja shqiptare që humbi jetën dje në Itali është Matilda Hidri. 35-vjeçarja shqiptare që po ngiste BMW-në e saj përgjatë autostradës A7, në drejtim të Xhenovas, ndërroi jetë ditën e djeshme pasi u përplas me një mjet tip “Volvo” që po udhëtonte në drejtim të gabuar.

Mediat italiane raportojnë se 35-vjeçarja pak më shumë se një muaj më parë, kishte hapur picerinë e saj në via Fieschi, në zemër të Genoas.

Matilda, e cila kishte një djalë të vogël që e priste në shtëpi, po udhëtonte drejt qytetit por shoferi i papaërgjegjshëm Giuseppe Maria Garavaglia, kishte udhëtuar në krahun e kundërt të autostradës për gati pesë kilometra dhe shkaktoi aksidentin tragjik.

Përplasja ishte aq e fortë sa të vdekur në vend mbetën menjëherë dy drejtuesit dhe përfshiu një makinë të tretë aty pranë. Në bordin e makinës tjetër udhëtonte një burrë 35-vjeçar, i cili u dërgua me helikopter shpëtimi në gjendje të rëndë në spitalin San Raffaele në Milano, djali i tij 4-vjeçar dhe një kushëri 34-vjeçar, të dy të plagosur lehtë dhe të dërguar në San Matteo në Pavia.