Zgjedhjet e 6 marsit, PS zyrtarizon kandidatët në 5 bashki! (EMRAT)

Partia Socialiste ka zyrtarizuar 5 nga 6 kandidatët për kryetar Bashkie në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit. PS zyrtarizoi emrat për bashkitë Shkodër, Dibër, Durrës, Vorë dhe Rrogozhinë, por jo për Bashkinë Lushnjë, ku duket se debatet kanë qenë të forta mes socialistëve për emrin që do të zgjidhej. Sipas burimeve për Report Tv, ka qenë drejtuesi politk i qarut Fier, Taulant Balla që nuk ka përkrahur emrin e Eriselda Sefës, kryetare e komanduar në Bashkinë Lushnjë. Edhe në një deklaratë për mediat, Balla tha se do të ketë një konsultim të gjerë lidhur me emrin i cili do të zyrtarizohet më 1 shkurt.

Ndërkohë që drejtuesit e tjerë politikë për bashkitë që do hyjnë në zgjedhje kanë bërë publik emrat një e nga një. Kryesisht në emrat e kandidatëve nuk pati surpriza ku Report Tv i kishte publikuar edhe më herët përmes burimeve. Ajo që ra në sy është se në Bashkinë e Dibrës u kandidua një emër jashtë radhëve të socialistëve, ndërsa në Vorë pati surpriza.

Përgjithësisht socialistët kanë zgjedhur që t’iu japin një shans kryetarëve në detyrë duke i rikonfirmuar në pjesën më të madhe të bashkive. Në Bashkinë Durrës socialistët do të kandidojnë Emirjana Sakon e cila kryen prej dy vitesh funksionin e kryetares, si e komanduar, ndërsa për Bashkinë e Shkodrës, socialistët garojnë me Majlinda Angoni, e cila prej dy vitesh mban detyrën e Prefektes. Në Bashkinë Dibër u zgjodh një bankier, Rrahim Spahiu dhe jo kryetari aktual i komanduar, Shkëlqim Murrja. Në Bashkinë Rrogozhinë është zyrtarizuar emri i Edison Memollës, kryetar aktual në detyrë, ndërsa në Bashkinë Vorë pati një surprizë me kandidatin që u zgjodh Blerim Shera.

Emrat e kandidatëve u zyrtarizuan pas një mbledhje rreth 2 orë të kryesisë së PS në selinë rozë.

Konkretisht emrat e propozuar janë:

Për Bashkinë Durrës, PS garon me Emirjana Sakon, aktualisht kryetare në detyrë.

Për Bashkinë Shkodër, PS garon me Majlinda Angonin, aktualisht prefekte e qarkut Shkodër.

Për Bashkinë Dibër, PS garon me Rrahim Spahiu, me karrierë të gjatë në administratën publike dhe atë bankare.

Për Bashkinë Rrogozhinë, PS garon me Edison Memolla, aktualisht kryetar i komanduar.

Për Bashkinë Vorë, PS garon me Blerim Shera, arsimtar.

Për Bashkinë e Lushnjës vijojnë ende diskutimet ku emri do të jepet të martën e 1 Shkurtit.