Lëvizje të BUJSHME! Basha bën ndryshime në parti pas përjashtimit të Berishës, zbardhen emrat që marrin poste të reja

Roli i Alfred Rushajt si kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike duket se ka zgjatur vetëm disa muaj, pasi ditën e sotme këtë post Lulzim Basha ia besoi nënkryetarit Enkelejd Alibeaj.

Agron Gjekmarkaj do të zërë vendin si nënkryetar i PD-së që lirohet nga Alibeaj, ndërkohë emra të tjerë ‘besnikë’ të Bashës marrin detyrat në PD që i lanë bosh figurat e pozicionuara krah ish-kryeministrit Sali Berisha.

Të gjitha këto ndryshime të rëndësishme në Partinë Demokratike u bënë ditën e sotme në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, vetëm pak ditë pasi kryesia e PD-së vendosi të përjashtojë përgjithmonë Sali Berishën dhe 8 anëtarë të Komisionit të Rithemelimit, si dhe pezulloi 17 të tjerë që janë pozicionuar krah Berishës.

Fjala e Bashës në mbledhjen e Këshillit

Në zbatim të vendimit të Kryesisë, ku është vendosur që organizatorët e dhu nës të mos mbajnë pozicione drejtuese në Grup Parlamentar, dua t’ju njoftoj ndryshimet që do ti propozoj Grupit Parlamentar. Kam vendosur që këtë ta ndajë më së pari me Këshillin Kombëtar të PD, ku është prezent e gjithë trupa drejtuese e partisë.

Fillimisht dua tju informoj se me një vendim të përbashkët timin dhe të Kryetarit të Grupit Parlamentar z. Alfred Rushaj, kemi vendosur me dakordësi, që drejtimi i Grupit, me sfidat e reja që kemi përpara, t’i kalojë z. Enkelejd Alibeaj.

Edhe pse z. Rushaj nuk është sot prezent në mbledhje për arsye shëndetësore, unë dua ta falenderoj atë për gjithë punën e jashtëzakonshme që ka bërë gjatë kësaj periudhe, dhe bashkërisht jemi duke punuar për një projekt të përbashkët politik për të ardhmen, që ndihmon dhe con përpara sfidat që ka PD.

Nga ana tjetër, do të propozoj si Nënkryetar të Kuvendit, z. Agron Gjekmarkaj, që gjithashtu kërkoj nga Këshilli Kombëtar që të votohet edhe si Nënkryetar i Partisë Demokratike. Një përfaqësues i denjë i demokratëve, botës akademike dhe komunitetit katolik. Jam i bindur se z. Gjekmarkaj është vlerë e shtuar në lidershipin e Partisë Demokratike.

Ndryshimet e tjera që do të propozoj kanë të bëjnë me drejtimin e komisioneve parlamentare dhe në Byronë e Kuvendit, si më poshtë:

-Kryetar i Komisionit të Shëndetësisë: Grida Duma

-Kryetar i Komisionit të Arsimit: Flutura Açka

-Nënkryetar i Komisionit të Ligjeve: Dhurata Çupi

-Sekretariati për Buxhetin: Xhelal Mziu (sekretar)

-Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën: Bledion Nallbati (anëtar)

-Sekretariati për Statusin e Deputetit: Dashnor Sula (sekretar)

-Sekretariati për Kërkimin Parlamentar, Bibliotekën dhe Botimet: Lindita Metaliaj (anëtar)

-Nënkryetari (ne vend te Alibeaj): Agron Gjekmarkaj