Doganierët amerikanë habiten çka u gjejnë shqiptarëve në valixhe

Një histori e tillë ka ndodhur me dy shqiptarë që udhëtonin drejt ShBA-së. Ata kanë habitur autoritetet dhe mediat përtej Atlantikut.

Autoritetet doganore në Aeroportin e Filadelfias në SHBA, përmes një qeni detektor zbuluan 14 kg produkte ushqimore të ndaluara, brenda në valixhen e dy shqiptarëve.

Në valixhen që u përkiste dy udhëtarëve shqiptarë, emrat e të cilëve nuk u bënë publikë, raportohet se u gjetën mes të tjerash mish i papërpunuar, kremviçe, presh, plëndës si dhe gështenja. Specialistët gjetën në mesin e gështenjave edhe dy insekte të gjalla.

Ngjarja ka ndodhur më 16 dhjetor të vitit të 2019.
Autoritetet i sekuestruan ushqimet dhe i lanë dy shqiptarët që të vazhdojnë vizitën e tyre në Filadelfia.