Nga arrat te hudhrat, ja ushqimet që ndikojnë në uljen e kolesterolit sipas ekspertëve

Niveli i lartë i kolesterolit është faktor kyç që ndikon në cenimin e shëndetit të zemrës, porse mjekët kanë paralajmëruar se ai ndikon ndjeshëm edhe në rënien e dendësisë kockore.

Sipas të dhënave më të fundit shkencore, të siguruara nga testimet klinike, ekzistojnë disa ushqime që rekomandohen si kurë e natyrshme kundër ngritjes së nivelit të yndyrave të dëmshme në gjak.
Sipas kësaj, del se arrat mund ta ulin nivelin e kolesterolit të keq deri në 9 për qind. Mirëpo, një efekt i këtillë, sipas ekspertëve mjekësorë britanikë, mund të arrihet vetëm nëse konsumohen 6 deri në 7 arra të qëruara për gjashtë ditë në javë, gjatë një muaji.

Tjetër kurë potenciale janë hudhrat që njihen si disa prej ushqimeve me ndikimin më të fortë kundër baktereve dhe infeksioneve, të cilat përbëjnë rrezik për organizmin.
Kësisoj, hudhrat e kanë fituar reputacionin e një ushqimi të fuqishëm për uljen e kolesterolit në gjak.

Studimet e fundit mbi këtë çështje kanë treguar se hudhra mundet ta ulë ndjeshëm nivelin e kolesterolit. Gjetjet e shumicës së studimeve sugjerojnë se rezultatet më të mira në uljen e kolesterolit arrihen me anë të konsumit të një gram hudhër në ditë. Sipas tyre, konsumi i hudhrës e ul nivelin e kolesterolit të plotë dhe të triglicerideve me deri në 20 mg/dL. Por, ndikimi ndaj kolesterolit të keq është më modest dhe varet nga doza ditore e konsumimit të hudhrës. Kjo do të thotë se sa më e lartë është sasia e konsumuar, aq më i ulur do të jetë kolesteroli. Por, personat që kanë probleme me shtypjen e ulët të gjakut duhet të kenë kujdes me dozën, ngase hudhra ndikon në uljen e tensionit.

Ndërkaq, vaji i ullirit ekstra i virgjër është gjithashtu një produkt efikas kundër kolesterolit pasi që është i pasur me acide yndyrore të pangopura që e parandalojnë aterosklerozën dhe e ulin nivelet e kolesterolit. 10 gramë vaj ulliri ekstra të virgjër të shtuar në ushqimet ditore do të ndikojnë në vërejtjen e dallimit, kanë rekomanduar mjekët.

Me acide të tilla të pangopura është e pasuruar edhe avokadoja, e cila ndihmon në parandalimin e sëmundjeve të zemrës dhe në uljen e niveleve të kolesterolit.

Po kështu, farat e linit janë një burim i pasur me acide yndyrore omega 3 dhe fibër dhe ndihmojnë gjithashtu në uljen e rrezikut nga sëmundjet kardiovaskulare dhe të ngritjes së nivelit të kolesterolit.

Kakaoja pluhur përmban flavanolë, të cilët ndihmojnë jashtëzakonisht shëndetin kardiovaskular dhe funksionojnë si antioksidantë. Rrjedhimisht i ulin nivelet e kolesterolit.

Ndërkaq, vetëm me dy racione ushqimi me tërshërë, kolesteroli i keq, sipas ekspertëve, mund të ulet për 5 për qind brenda pesë 5 javësh, pa ndikuar në kolesterolin e mirë.

Përderisa barishtet, si spinaqi, janë të pasura me luteinë që e ul rrezikun e atakut në zemër. Vetëm me të paktën 170 gramë spinaq ose barishte të tjera të shtuara në sallata apo gatime të ndryshme, personat e prekur nga kolesteroli do të ndiejnë ndikimin.