Priten zhvillime të reja brenda Partisë Socialiste! Zbulohet se çfarë do të ndodhë në shtator

Sekretari organizativ në Partinë Socialiste, Arben Pëllumbi tha se më 15 shtator socialistët do të zhvillojnë analizën në strukturat e tyre për zgjedhjet e 25 prillit. Për këtë, pritet të ngrihet edhe një komision i posaçëm që do të përcaktojë edhe metodën e analizës.

Ndryshe nga demokratët të cilët e kanë nisur analizën për 25 prillin në muajin qershor, në kampin rozë, kjo analizë do të zhvillohet në sezonin e ri, pas dekretimit edhe të qeverisë së re.

“Në datën 15 shtator fillojnë analizat në OS, në embrionin e Partisë Socialiste (PS) dhe njëkohësisht do të zhvillohet procesi statusor i zgjedhjeve të drejtuesve të këtyre organeve sepse PS në statut e ka të theksuar se çdo dy vjet të gjithë drejtuesit e organizatave bazë kalojnë një proces zgjedhjeve”, u shpreh Arben Pëllumbi, sekretari Organizativ i PS-së.

Arben Pëllumbi tregon faza e parë e analizës do të zhvillohet deri në muajin nëntor, e më pas do të vijojë analiza në nivel të njësisë Administrative, bashkie dhe nivel qarku, për t’u përmbyllur në janarin e vitit të ardhshëm.

“PS është në fazën e konstitumit të komisionit te posaçëm i cili do të merret me përgatitjet e metodikës mbi të cilën do të bëhet e gjithë analiza”, tha Pëllumbi për Euro News Albania.

Ndërkohë, në vjeshtë i përfundon mandati 1-vjecar i kryesisë së PS dhe sekretariateve, dhe për këtë Pëllumbi thotë se do të zhvillohet mbledhje e asamblesë kombëtare për të vendosur nëse do të zhvillohen zgjedhje të reja apo do ti jepet një tjetër mandat kryesisë aktuale.