Kongresi i Partisë Socialiste plot surpriza, caktohet ora dhe vendi ku do të mbahet

Partia Socialiste në ditëlindjen e 30-të të saj ka vendosur që të mbledh Kongresin e Jashtëzakonshëm më 12 qershor.

Siç dihet deri më tani, PS do të paraqesë vizionin për Shqipërinë 2030 dhe angazhimet kryesore të programit qeverisës.

Mësohet se Kongresi do të mbahet në orën 17:30, por surpriza e vërtetë vjen pikërisht te vendi ku do të mblidhen socialistët.

Kryeministri Edi Rama dhe organizatorët duket se kanë zgjedhur stadiumin “Air Albania”.

Kjo do të jetë hera e parë që në arenën e futbollit do të mbahet një organizim i tillë që pritet të jetë i përmasave të mëdha.

Edhe më parë, socialistët janë mbledhur në ambiente të hapura, diktuar edhe nga kushtet e pandemisë globale të shkaktuar nga virusi vrasës COVID-19, siç ka qenë Amfiteatri i Liqenit apo sheshi “Skenderbej” në Tiranë për hapjen dhe mbylljen e fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit.

Shpërndarja e ftesave për delegatët e Kongresit ka nisur, dhe gjithçka duket gati dhe e mirëorganizuar.