Etilda Gjonaj flet për herë të parë për të ardhmen e saj në politikë, a do të jetë sërish ministre në shtator?

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e pyetur nëse do të jetë sërish ministre në kabinetin e ri qeveritar, deklaroi se këtë gjë e vendos kryeministri, i cili sipas saj, do duhet të vendosë për dy skuadra, atë ekzekutive dhe atë legjislative, që do të jenë shumë të rëndësishme për këtë katërvjeçar qeverisës.

Pjesë nga intervista në News24

PYETJA: E shihni sërish veten ministre?

GJONAJ: Kjo nuk është një gjë që më shqetëson, pasi në fund të fundit është kryeministri që ka përgjegjësinë dyfishe, edhe si kryeministër, edhe si kryetar partie, për të vendosur se kush do të jetë pjesë e kabinetit të tij qeveritar. Unë i jam shumë mirënjohëse që më dha besimin të jem në funksionin e ministrit të Drejtësisë për këto katër vjet, sidomos në një moment shumë të rëndësishëm, që kishte të bënte me zbatimin e Reformës në Drejtësi, besoj se kam bërë maksimumin tim në ushtrimin e kësaj detyre. Nëse unë do të jem apo jo, kjo nuk është një çështje që me preokupon, pasi nuk është qëllim në vetvete pozicioni i ministrit për mua.

PYETJA: Gjithsesi, ju jeni një figurë e votuar në 25 prill…

GJONAJ: Kryeministri do duhet të vendosë për të dyja skuadrat, atë qeverisëse dhe atë legjislative. Aty ku ai do të shohë që i shërben gjithë asaj që ne kemi si objektiv, si agjendë, çdo person, çdo njëri nga ne, besoj që do të vendosë nëse do të jemi, apo kush do të jetë pjesë e ekzekutivit apo legjislativit, sepse në fund të fundit të dyja këto skuadra kanë një rëndësi shumë të madhe në këtë katër vjeçar.