Deputeti i Kuvendit zbulon planin e fshehtë të Ramës, tregon se çfarë fshihet pas shkarkimit të Ilir Metës

Deputeti i LSI-së, Gjetan Gjetani, ka komentuar votimin e parlamentit ditën e djeshme pro shkarkimit të presidentit Ilir Meta. Gjetani shprehet se ai e deklaroi hapur votën kundër pasi sipas tij nga raporti i Komisionit Hetimor nuk gjenden shkelje Kushtetuese.

Deputeti thekson se Ilir Meta ka kryer në lartësinë e duhur detyrën dhe shkarkimi është një tentativë e Ramës për të uzurpuar institucionin e Presidentit.

“Unë e kam bërë transparente votën time, kundër shkarkimit të Presidentit të Republikës. Nga raporti i Komisionit Hetimor nuk më rezulton se presidenti ka kryer ndonjë shkelje të Kushtetutës, kjo është dhe arsyeja e votës time kundër.

Unë e kam ndjekur me vëmendje të gjithë procesin hetimor dhe nuk është aspak e vërtet që Presidenti i Republikës ka bërë fushatë elektorale. Presidenti ka qenë në lartësinë e duhur të detyrës, ka kryer detyrën e tij Kushtetuese.

Çdo akt ligjor që ka ndërmarrë Presidenti i Republikës ka qenë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Shqipërisë.

Mund të ketë pas ndonjë moment emocionues, por mendoj se ka qenë më shumë shkelje etike sesa kushtetuese. Komisioni Hetimor i ngritur nga Edi Rama ka pasur si qëllim të përbalte Presidentin e Republikës, për të uzurpuar institucionin e vetëm që nuk është në dorën e kryeministrit”, tha Gjetani për Fax News.