A do mund ta shkarkojë PS-ja Ilir Metën nga Presidenca? Bamir Topi surprizon me përgjigjen

Ish-presidenti Bamir Topi ka komentuar procedurën e nisur nga Partia Socialiste për shkarkimin nga detyra të presidentit Ilir Meta.

I ftuar në News 24, Topi tha se tashmë PS-ja ka një alibi për përfshirjen e Metës në fushatë, ndërsa shtoi se ata kanë dëshirë për ta realizuar deri në fund këtë iniciativë.
“Unë mendoj që tani ata kanë gjithçka. E kam fjalën për PS. Kanë sigurinë që i ka dhënë 25 prilli. Janë të rikonfirmuar politikisht. Kanë mundësi që t’i mbledhin votat në parlament. Janë 94 vota. Historia ka treguar se i kanë bërë votat. Në këtë rast ata nuk janë të frenuar psikologjikisht për të kërkuar një mendim nga Komisioni i Venecias. Tani kanë dhe alibinë e përfshirjes së presidentit në fushatë. Unë mendoj se nuk e kanë si një shashkë. Jo! Mesa duket armiqësia midis tyre ka shkuar në të tilla nivele. Tani jemi në planin e hipotezave. Unë besoj se kanë të gjithë dëshirën për ta realizuar. A e realizojnë apo jo, kjo… Këtu s’bëhet fjalë për problemin e kohës, por për të realizuar një largim që t’ja mbajnë në historinë e karrierës politike.

Zoti Meta është arkitekti i LSI. Detyrat e tij imponuan që drejtimi të shkonte diku tjetër. Ka grintën, shumë elementë, por gjërat nuk janë kollaj si në fillim. Ngritja bëhet edhe më e vështirë. Çështja është se si reagon publiku. Mos harroni që në këtë periudhë, vëmendje PS dhe e PD-së, në elemente që mund të rekrutohen nga njerëz që kanë qenë në LSI, është në plan të parë. Sidomos PS, që i konsideron ata si kontingjent i vjetër i tyre,” tha Topi.