Edi Rama: I vetmi shqetësim për 25 prillin është blerja e votave nga…

Kryeministri Edi Rama ka vijuar me fushatën dhe takimet elektorale. Kryeministri ditën e djeshme zhvilloi takime me banorët në Prrenjas dhe Librazhd. Teksa foli për forcimin e ekonomisë në vend nuk munguan dhe ironitë ndaj premtimeve të Partisë Demokratike. Kryeministri tha se premtimet e Bashës janë thjesht ëndrra. Sipas tij Partia Socialiste është për punë të vështirë jo për t’u shkatërruar jetën njerëzve. “Ata thonë më jep votën se unë do të jap 1 mijë euro çdo muaj, të gjithëve këtyre që kanë dyqan. Më jep një të jap dy dhe në fund të dy gishtat në sy që në fund të mos e marrësh veten. Ne jemi për punë të vështira, ne jemi për të mos ja bërë rrafsh jetën njerëzve. Ato që ju tregon Luli janë ëndrra që ai sheh. Është koha për të besuar jo duke parë ëndrra në gjumë, por duke parë kantieret e hapura, duke parë projektet, se shqiptarët do të fuqizohen ekonomikisht të gjithë së bashku dhe gjithsecili”, tha ai. Teksa kërkoi një mandat të tretë, Rama tha se qytetarët do të humbasin shumë nëse bien pre e premtimeve të Bashës, të cilat sipas tij të çojnë në greminë. Kreu i qeverisë tha se dikur kemi rënë në atë greminë, por ia dolëm përsëri të ngrihemi dhe të përballojmë sfida si pandemia. Sipas kryeministrit, me durim dhe këmbëngulje, ekonomia jonë do të forcohet me anë të punësimit. “Ka shumë për të humbur nëse biem pre e sirenave joshëse të fushës me lule, që thonë do i japim 1 ml këtyre e 5 atyre, i keni parë me makina e këngë e valle, Xhaferrit e Sudes dhe pamë pastaj se si rruga e shkurtër na nxori gjatë, në fundin e një gremine nga ku vuajtëm për t’u ngritur. Për deri sa ne ia dolëm që të dalim nga tuneli i pandemisë, ne jemi ata që së bashku mund t’ia dalim që ta bëjmë Shqipërinë vendin ku ekonomia rritet me punë, me këmbëngulje, punë e durim. Kjo që po bëj unë është thirrje për të lënë mënjanë ndasitë dhe përçarjen dhe për të menduar si ta bëjmë Shqipërinë shtëpinë ku fëmijët të mos jenë krenare vetëm për bukuritë e natyrën, por për kushtet e shtëpisë”, tha ai.

Rama akuza LSI

Në mbrëmje kryeministri ishte në emisionin “përballë” në RTSH. Kryeministri tha gjithashtu në “Përballë” se nuk e ndjen veten në disavantazh, ndërkohë që foli edhe për fenomenin e shitblerjes së votës. Sipas Ramës, i vetmi shqetësim për zgjedhjet e 25 prillit është fenomeni i blerjes së votës nga Lëvizja Socialiste për Integrim. “Shqetësim, lidhur me zgjedhjet, nuk shoh si proces, është ai shqetësimi i zakonshëm se çfarë do të bëjnë ata që bubrojnë në ditët e fundit për hesap të LSI, dhe dihet se ça aktiviteti zhvillojnë. Por përtej kësaj, nuk shoh ndonjë problem”, u shpreh kryeministri Rama. Megjithatë, sipas tij, fenomeni i shitblerjes së votës në vend po zvogëlohet dhe partitë e mëdha nuk e bazojnë rezultatin tek shitblerja e votës. “Shitblerja e votës po shkon në zvogëlim nga zgjedhje në zgjedhje. Sa më shumë zvogëlohet LSI-ja, aq më shumë zvogëlohet edhe shitblerja”, theksoi kryeministri Rama në “Përballë”. Ai komentoi gjithashtu edhe programin e Partisë Demokratike që, sipas tij, “është i parealizueshëm”. “Është program absurd, është njësoj si programi i Rapush Xhaferrit”, tha Rama. Nga ana tjetër, Rama i ktheu përgjigje edhe ftesës së Bashës për një debat televiziv. “Sepse do të duhej të ishte përballë një lider që është përgjegjës për atë që thotë dhe bën, jo dikush që i ka fshehur nga ekranet ata që i imponohen dhe mund ta fshijnë për 30 sekonda nga ai pozicion”, tha ai.