EMRI/ U kap me armë, lekë dhe drogë në shtëpi, arrestohet ‘njeriu’ i Talo Çelës në Cërrik

Ky që shihni në foto është Aqif Bezati, i arrestuar nga Policia e Elbasanit pasi në banesën e tij u gjetën armë, municione drogë e shuma të konsiderueshme parash. Në pranga përfundoi dhe Veli Deliu 54 vjeç, mik i 60-vjeçarit, që gjithashtu iu gjetën armë e municione në banesë.

Ishte pikërisht Aqif Bezati që u mbajt në vëzhgim nga blutë e Elbasanit, të cilët gjatë hetimit kanë mësuar se 60-vjeçari në banesë mbante sende të jashtëligjshme.

Burime nga grupi hetimit bëjnë me dije se Bezati është lidhje shoqërore e Talo Çelës, person ky i shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare.

Nga hetimet ka rezultuar se 60-vjeçari nga fshati Dëshiran i Belshit ishte i përfshirë në veprimtarinë kriminale të kultivimit, prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.

Krahas armëve, municioneve dhe shumave të konsiderueshme të parave, gjatë kontrollit të banesës së Aqif Bezatit policia gjeti dhe 75 bimë të thata opiumi që shihni në këto pamje. Kjo bimë është tejet e veçantë pasi nga përpunimi i saj prodhohet heroina.