Berisha cakton Edi Palokën kandidat për Bashkinë e Tiranës?

Edi Paloka ka dhënë dje një intervistë për televizionin e familjes Berisha.

Ndër të tjera, ata e kanë pyetur nëse do të jetë ai kandidat për Bashkinë e Tiranës.

“Mund të ketë shumë emra. Nuk dua të bëj lajm këtë, sepse nuk e kam menduar realisht, por nëse do të ishte e domosdoshme, pse jo?!

Po nuk dua të bëhet lajm, sepse nuk e kam menduar dhe praktikisht nuk kam ndërmend të kandidoj për momentin, por çdo gjë mund të llogaritet për një qëllim më të madh e kam fjalët.

Erion Veliaj duhet zhdukur sepse është apendiksi i Ramës në Tiranë, është ai që mbledh gjithë qelbësirat e Ramës. Mblidhen tek ky që është kryetar i Bashkisë në Tiranë”, tha Paloka nga televizioni i familjes Berisha.

Për momentin Berisha dhe Meta s’kanë shpallur asnjë kandidat, edhe pse zgjedhjet janë afër.

Por fakti që televizioni familjes Berisha pyet Palokën nëse do të pranojë të jetë kandidat për Tiranën, mund të jetë një indicia se Berisha po mendon pikërisht emrin e tij.

Paloka ndërkohë është pyetur edhe përse nuk e rrëzuan Ramën këtë shtator.

“Është mbase edhe pak pjesë e fajit tonë dhe pak e propagandës që u ngrit; se u krijua ideja sikur më 1 shtator shtypej butoni dhe binte qeveria.

Në fakt nuk është kaq e lehtë, se të ishte kështu, me Bashën apo pa Bashën, do ta kishim shtypur ne të tjerët butonin dhe do ta kishim rrëzuar qeverinë në këto tetë vite.

Sigurisht që në gjithë këtë aksion, në radhë të parë duhet të synojmë që në çdo hap që hedhim të mos kemi më dështime siç patëm tetë vitet e kaluara. Prandaj është e domosdoshme që çdo aksion nga më i vogli (se kur themi aksion, duket sikur do të bëhet hataja, sikur do të shpërthejnë bombat e do të marrë flakë gjithë vendi brenda gjysmë ore), pra edhe ajo protesta e vogël, edhe ajo protesta që do të bëjnë më datë 5 (tetor), sindikatat e arsimit, edhe një grevë që mund të nisë pas pak ditësh, pra çdo lëvizje (protestat e studentëve, protestat e nxënësve, çdo gjë) është pjesë e një aksioni të madh. Edhe njëherë e përsëris: nuk është se do të shtypnim më 1 shtator një buton dhe gjërat do të ndryshonin!

Prandaj, edhe që të mos dështojmë në synimin tonë final (synimi final mbetet rrëzimi i kësaj qeverie dhe krijimi i kushteve për zgjedhjet e lira dhe të ndershme në këtë vend, ky është synimi final yni), për të arritur pa dështuar në një synim të tillë, duhet që çdo gjë të jetë e organizuar dhe e mirëmenduar.

Fakti që ne kemi nisur, se edhe kjo është pjesë e kësaj përgatitjeje, kemi pasur problemet që i dimë brenda PD-së dhe na është dashur të rikrijojmë apo të ringremë nga e para strukturën e PD-së me atë bazë që u krijua nga Rithemelimi dhe nga baza që ishte; ngritja e strukturës na ka ngrënë një kohë jo të vogël dhe prapë nuk është aq e konsoliduar sa ne të bëjmë llogari të përpikta me këtë strukturë se si do të shkojë dhe ku do të shkojmë.

Kur them se aksioni opozitar duhet mirëmenduar i përfshin të gjitha këto elemente, të gjithë këta faktorë. Në një luftë – po e them prapë në mënyrë të trashë, ti nuk mund të shkosh pa e ditur sesa ushtarë ke me vete. Jo në kuptimin e keq të fjalës “ushtarë”, sepse ne jemi të gjithë të barabartë në atë parti, jemi të gjithë vullnetarë, por në kuptimin që njeriu i mat forcat, i llogarit forcat dhe në bazë të këtyre forcave duhet të gjejë dhe strategjinë e tij për të arritur rezultatin që presim të gjithë. Kjo nuk është një kohë e humbur.”, tha Paloka.