Si u zbulua ngjarja e rëndë në Kamëz/ Flet 56-vjeçari që fshehu vetëvrasjen e gruas: Kisha frikë se…

56-vjeçari Shefqet Lika u arrestua ditën e djeshme në Kamëz, pas fshehjes së vetëvrasjes së bashkëshortes së tij Shahe Lika në banesën e tyre.

Në deklaratën e tij para hetuesve ai ka thënë para policisë se ka pasur frikë të raportojë për vetëvrasjen e bashkëshortes, pasi sipas tij nuk do ta besonin familjarët e saj.

Mwsohet se çifti ka pasur konflikte të shumta prej shumë vitesh, ndërsa bashkëshorti ka ushtruar dhunë sistematike ndaj 55-vjeçares. Në javët e fundit ajo ishte larguar nga banesa dhe kishte jetuar tek e motra. Në banesën e burrit ishte kthyer një ditë para se të merrte vendimin për t’u vetëflijuar. Për shkak të dhunës dhe konflikteve dyshohet se gruaja shkoi drejt vetëvarjes.

Lika u përpoq ta mbulonte ngjarjen duke organizuar dhe varrimin e gruas, por situata i doli nga kontrolli 56-vjeçarit pasi familjarët e saj patën dyshime dhe kërkuan ekspertizë të trupit të pajetë. Pas ekspertizës rezultoi se 55-vjeçarja ishte vetëvarur. Shefqet Lika akuzohet për dy vepra penale, shkaktim të vetëvrasjes dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Fëmijët e tyre jetojnë jashtë vendit, ndërsa raportohet se pas mbërritjes të hënën kanë pasur debat me familjarët e babait. Trupi i pajetë i gruas 55-vjeçare është përcjell për në banesën e fundit vetëm nga familjarët e saj, ndërsa nga banesa e të atit janë larguar edhe fëmijët.