“Pushtuan” Britaninë me gomone/ Çfarë do të ndodhë me shqiptarët pas zgjedhjes së Liz Truss si kryeministre?

Prej disa ditësh, fluksi i madh i emigrantëve shqiptarë që po përpiqen të hyjnë ilegalisht në Britaninë e Madhe, është bërë tema e ditës për mediat britanike, duke ngritur alarmin e duke i detyruar ligjvënësit të kërkojnë rikthim të skemës së Ruandës.

Plani parashikon që individët e identifikuar nga qeveria si emigrantë të paligjshëm apo azilkërkues të risistemohen ne Ruandë, ku edhe shqyrtohet kërkesa për azil. Ata që kanë sukses qëndrojnë në shtetin afrikan, ku në sajë të skemës do të ketë investime të konsiderueshme. Ndërkohë atyre që ndërmarrin udhëtimin e rrezikshëm përmes kanalit të La Manshit, iu tha të shpejtojnë për të hyre në vend, pasi lideri i ri që do të pasojë Johnson do të shtojë patrullimet në Kanal, e do të ngrejë barriera në bregdet.

Por çfarë ndodh tani me emigrantët shqiptarë pasi Liz Truss u zgjodh kryeministre e Britanisë së Madhe?

Liz Truss në fushatë, i ka shfrytëzuar intervistat në media për t’u përplasur në distancë me kundërshtarët lidhur me pikëpamjen mbi menaxhimin e fluksit të azilkërkuesve.

Truss u zotua se do të marrë përsipër vendimet e GJEDNJ-në pasi imigracioni u vu në qendër të vëmendjes së balotazhit të lidershipit konservator.

“Si kryeministre, jam e vendosur të shoh politikën e Ruandës deri në zbatimin e plotë, si dhe të eksploroj vende të tjera ku mund të punojmë për të ngjashme partneritete. Do të sigurohem që të kemi nivelet e duhura të forcës dhe mbrojtjes në kufijtë tanë. Unë nuk do t’i drejtohem Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) dhe përpjekjeve të saj të vazhdueshme për të provuar dhe kontrolluar politikën e imigracionit”, ka thënë më herët Truss.

Truss u zotua gjithashtu të rishqyrtojë idenë e diskutueshme për t’i kërkuar Forcës Kufitare të ndjekë emigrantët që tentojnë të kalojnë La Manshin dhe t’i tërheqë ata mbrapsht në Francë.

Ideja u braktis nga Boris Johnson këtë vit pas paralajmërimeve se përbënte një rrezik shumë të madh për jetën. Truss do të eksploronte “të gjitha taktikat e mundshme” për të kthyer varkat dhe për të dekurajuar të tjerët nga kalimi i rrezikshëm.

Rrjedhja e të dhënave në Britaninë e Madhe zbuloi se 4 në 10 emigrantë të paligjshëm që mbërrijnë ne vend, janë shqiptarë. 1075 shtetas të vendit tonë kanë mbërritur me gomone dhe varka të vogla në Mbretërinë e Bashkuar brenda 6 javëve, deri më 12 korrik.

Ata përbëjnë 37.5 % të të gjithë personave që kanë hyrë ilegalisht në vend, duke eklipsuar shtetasit afganë, iranianë, irakianë dhe sirianë. Deputetët kërkuan nga kryeministri i ri të veprojë me urgjencë dhe të dyfishojë përpjekjet për deportimin e emigrantëve në Ruanda.