I zhdukur prej 8 ditësh, gjendet i vrarë biznesmeni shqiptar në Greqi, zbardhet kush e ka ekzekutuar

Një biznesmeni shqiptar në Greqi që rezultonte i zhdukur prej 8 ditësh, është gjetur sot i vdekur. 46 vjeçari është vrarë nga një pronar hoteli në ishullin e Rodosit, i cili tashmë është arrestuar.

Pronari i hotelit pranoi vrasjen e tij dhe më pas tregoi para autoriteteve se ku e kishte lënë trupin. Trupi i pajetë i 46-vjeçarit Topalli u gjet në një rrugë të shkretë mes Psinthos dhe Afantos, ndërsa dosja do t’i kalojë sot Prokurorisë për procedim të mëtejshëm.

Mediat greke shkruajnë se Xhani Topalli, banues prej më shumë se 20 vjetësh në Rodos ishte zhdukur që prej datës 28 gusht, kur pati një takim me një hotelier 53-vjeçar nga Kallithea, për t’i shlyer detyrimet sipas një marrëveshjeje që kishin lidhur.

Ishte vetë ky i fundit që çoi policinë tek viktima, duke pranuar autorësinë e vrasjes së biznesmenit shqiptar të cilin e kishte mbytur.