55-vjeçarja vetëvaret, burri bën gati varrimin dhe njofton familjen: Vdiq në mënyrë natyrale

Një 55-vjeçare në Kamzë në zonën e Frutikulturës është gjetur e vdekur në banesë dhe dyshohet që ajo të ketë varur veten. Ngjarja e rëndë ka ndodhur më datë 4 shtator, por vetëm një ditë më parë familja e viktimës ka bërë kallëzimin në polici.

Nga verifikimet e kryera, ka rezultuar se shtetasja me inicialet Sh. L., është vetëvarur, ndërsa bashkëshorti i saj, Shefqet Lika, nuk ka kallëzuar ngjarjen në polici.

56-vjeçari u ka thënë familjarëve të bashkëshortes se ajo ka pësuar vdekje natyrale dhe ndaj kishte bërë gati të gjitha procedurat e varrimit.

Njoftimi i policisë:

Më datë 04.09.2022, në Frutikulturë, në banesë dyshohet se është vetëvarur shtetasja Shahe Lika, 55 vjeçe.

Shërbimet e Policisë, nisur nga dyshimet e krijuara mbi kallëzimin e bërë më datë 05.09.2022, nga familjarët e shtetases Sh. L., kanë vijuar veprimet hetimore të thelluara, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për të bërë të mundur zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Nga verifikimet e kryera, ka rezultuar se më datë 04.09.2022, rreth orës 15:00, në ambientet e banesës së saj, dyshohet se është vetëvarur shtetasja Sh. L., ndërsa bashkëshorti i saj, shtetasi Shefqet Lika , nuk ka kallëzuar ngjarjen në Polici, por në mbrëmje ka njoftuar familjarët e viktimës, të cilëve u ka pohuar se shtetasja Sh. L. ka pësuar vdekje natyrale dhe ndaj kishte bërë gati të gjitha procedurat e varrimit.

Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 5 bënë ndalimin me iniciativë të shtetasit:

– Sh. L., 56 vjeç, i dyshuar për veprat penale “Shkaktimi i vetëvrasjes” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.