Dosjet e Metës në SPAK, referohen edhe 30 afera dhe skandale, nga vjedhja e floririt, historia me Almir Rrapon te pazaret në zyrën e Dritan Priftit

Dalin detaje të reja nga kallëzimet penale të referuara në SPAK për Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin, mbi bazën e të cilave prokurorët e SPAK kanë regjistruar tre procedime penale për shpërdorim detyre, korrupsion pasiv, pastrim parash, fshehje pasurie, mashtrim me deklaratën e pasurisë etj.

Në një nga dosjet e referuara në SPAK, sillen në vëmendje të prokurorëve 30 afera dhe skandale, për të cilat është akuzuar si i përfshirë Ilir Meta në mënyrë të drejtëpërdrejtë apo të tërthortë.

Mes skandaleve, sillet në vemendje edhe vjedhja e floririt të Kërrabës. 280 kg ar u vodhën në thesarin e shtetit pas ngjarjeve të vitit 1997. Sipas Berishës, Ilir Meta ka festuar Vitin e Ri 1999 me floririn e vjedhur. “Në dhjetor të vitit 1999 ju festuat Vitin e Ri duke u vjedhur thesarin shqiptarëve”, thoshte Berisha për Ilir Metën në korrik të vitit 2000. Që kur skandali u denoncuar për herë të parë në media në fillim të vitit 2000 dhe deri në korrik të vitit 2009, kur u bashkuar në qeveri, Berisha e quante Metën ‘Ilir Floriri’. Nga ana e tij, Meta ka mohuar akuzat e Berishës për një implikim të tij në grabiten e thesarit të shtetit.

Në dosjet e referuara në SPAK përmender edhe çështja e Almir Rrapos, i cili ishte një nga njerëzit me të besuar të Ilir Metës, kur ky i fundit ishte ministër i Jashtëm, pas nisjes së bashkëqeverisjes me Sali Berishën, në shtator të vitit 2009.

Rrapo shërbente edhe si sekretar personal i Ilir Metës. Në duart e tij kalonin të gjitha shkresat, pritjet, përcjelljet, organizimi i takimeve etj. Rrapos ishte pjesë e klanit mafioz “Krasniqi” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Klani akuzohej për vrasje, zjarrvënie, pastrim parash, trafik ndërkombëtar droge, grabitje me dhunë etj. Rrapo kërkohej në SHBA për krimet të rënda, ndërkohë që shërbente në zyrën e Metës. Historia e Rrapos dihet.

Ai u arrestua në korrik të vitit 2010, në Ambasadën Amerikane në Tiranë dhe u ekstradua me urgjencë në SHBA, ku u dënuar me 6 vjet burg, pasi bashkëpunoi me drejtësinë dhe pranoi të gjitha krimet. Meta ka deklaruar se nuk dinte gjë për të shkuarën e Rrapos, të cilit i kishte besua detyrën e sekretarit.

Edhe pse Gjykata e Lartë mbylli dosjen dhe shpalli Metën të pafajshëm, në vëmendje të SPAK sillen edhe pazaret e Ilir Metës me pronat dhe pasuritë publike në zyrën e ish ministrit Dritan Prifti. Meta i shpëtoi ndëshkimit pas një manovre që shpalli videon në zyrën e Priftit të pavlefshme dhe pas një mesazhi që Sali Berisha u dha gjyqtarëve një ditë para vendimit.

Mes të tjerave thuhet se Meta është implikuar në abuzimin me 200 mijë ton grurë dhe 100 mijë ton vaji ndihma nga jashtë, në abuzimin e qindra milionë euro me donacione dhe tendera, në privatizimin e Telekom, aferën CEZ-DIA me protagonist Kastriot Ismailajn, sot në burg, të cilin Meta ua rekomandoi çekëve dhe që i kërkonte para pas zbatimit të skemës së vjedhjes. /Shqiptarja