90 mijë euro për “kokat” e tyre/ Atentati i dështuar ndaj Dumanit dhe vëllait të tij, kush ishte porositësi

Vjedhja me armë e një autmojeti tip “Audi Q5”, verën e 2020-tës në Durrës ka zbuluar një atentat të mbetur në tentativë në këmbim të 90 mijë eurove. Personi I arrestuar Hamdi Skuqi ka treguar se është porositur nga një person për të vrarë 2 persona në zonën e Nish Tullës që sipas hetuesve ka dyshime se janë vëllezërit Dashamir e Nuredin Dumani. Skuqi, mjetin në pronësi të një shtetasi nga Kosova, e vodhi bashkë me mikun e tij me inicialet K. Ramazini.

Referuar dosjes hetimore ka qenë vetë Skuqi, i cili pas arrestimit ka treguar edhe për marrjen e porosisë për kryerjen e atentatit. Ai ka treguar se porosinë e ka marrë nga një person që quhej Gazi, ku për 90 mijë euro do ekzekutonte dy vëllezër, banesa e të cilëve gjendej në zonën e Shën Avlashit, në rrugën e Nish Tullës. Në dëshminë e tij Skuqi, u shpreh përpara oficerëve se nuk i njihte dy vëllezërit që do ekzekutonte. Ai kishte mësuar vetëm banesën e saktë ku ata jetonin si dhe kishte parë në foto shënjstrat e tij.

Nga të dhënat e mbledhura objektiv të këtij atentati kanë qenë vëllezërit Dumani, pasi ata janë banorë të asaj zone. Nga deklarimet e Skuqit, bëhet me dije se, shkak ishte bërë një konflikt për trafikun e drogës në holandë mes porositësit dhe 2 vëllezërve. Referuar dosjes hetimore, personi porositës i kishte dhënë parapagesë 1 mijë euro Skuqit, si edhe një pistoletë tip Glock për të kryer vrasjen. Kjo dosje është e veçuar, nga ajo e Nuredin Dumanit, ku ka zbardhur dhjetra ngjarje kriminale në vend që kanë ndodhur në Durrës, Elbasan, Tiranë e Fier. Ndërsa ende nuk është bërë i mundur identifikimi i personit që dy vite më parë, do paguante 90 mijë euro për eleminimin e vëllezërve Dumani.