“Si Shqiptar, si mjek, si prind…lum kush ka mundësi të vaksìnohet, mos dëgjoni politikë-qenërit”, apeli uleritës i profesor Tritan Kalos

“Si shqiptar, si mjek, si prind, si atdhetar nuk mund ta gëlltis lugën e politikës tuaj përcarëse, sidomos në kohëra të vështira. Nuk jemi në vitin 1977, kur pas botimit të artikullit të “Zërit të Popullit” mbi teoritë e tri botëve i treguam munxat Republikës së Kinës, e cila bujarisht po ndërtonte qindra e qindra vepra industrial dhe jo vetëm, për të rritur mbrothësinë tonë si shqiptarë”.

Këtë radhë, është apeli i doktor Tritan Kalos, i vendosur prej më shumë se një viti në frontin e parë të luftës së covid-19, ku i kërkon qytetarëve që kanë mundësi, TË VAKSINOHEN, pa dëgjuar politikën, apo individë të saj që bëjnë thirrje për të kundërtën. Vaksina Kineze, sipas professor Tritan Kalos, janë të barasvlefshme me të tjerat.

“Enverizmi si frymë dhe enveristët si individë në këtë dhe atë të anë të Drinit ende frymojnë dhe janë aktivë, për të përftuar kredi për politikbërjen e tyre por njëkohësisht edhe për dëm prurjen përkundrejt ardhmërisë sonë socio-ekonomiko-politike si Komb….Vaksinat amerikane, kineze, ruse, angleze, suedeze, të cilat po përdoren kudo në botë, pak a shumë rezultojnë të jenë të barasvlershme në mbrojtjen e jetëve tona përkundrejt kësaj sëmundje shumë-fytyrëshe e vrastare të Covid-19….LUM si ai dhe ATA/ATO, që shpejtazi mbrinë t’a kuptojnë këtë gjë, dhe mos të bijen pre e kurtheve politiko-ekonomike të Globalizmit….Mëritë apo qefmbetjet tuaja politike ju politiqenër shqipfolës lërini t’i diskutoni e sqaroni mes vedit në Tiranë, në Prishtinë, në Podgoricë apo në Shkup”, apelon profesor Tritan Kalo.

Në ciklin “Kohë Kovidiane”, Kalo shkruan se kjo situatë i gjen shqiptarët sërish të përcarë në “luftën ndaj armikut të padukshëm jetëlëndues dhe jetëmarës”, Pandemisë nga infeksioni viral i Sars- Cov2/Covid-19.

“Edhe një jetë e humbur është shumë për një popull, një Komb si i yni. Nuk e kemi lluksin të hymë në spiralen e një “lufte të re të ftohtë”, e cila qartazi përvijohet këto kohë të kësaj “flame mbarëbotërore”…..MHD (Maskë, Higjenë dhe Distancim) po e kanë të pamundur t’i ndalin vrullin dallgëve të kësaj Pandemije….Vaksinat anti-Covid19, janë një armë e fortë në duart tona për të shpëtuar jetë njerzish dhe për t’i hapur pak nga pak poret e oksigjenimit të jetës sonë socio-ekonomike, pas pothuajse 15 muajsh “hypoksie” të tyre….ATO janë të mezipritura e të mirëseardhura për Shqiptarët që gjallojnë këndej dhe andej Drinit” shkruan profesor Kalo.