Rama i hap rrugë bashkëqeverisjes me PD, i prerë kundër koalicionit me LSI

Kryeministri Edi Rama ka shtuar dyshimet për një bashkëqeverisje PS-PD pas zgjedhjeve. I pyetur në një emision televiziv mbi mundësinë e një koalicioni me PD apo LSI pas zgjedhjeve, në mënyrë kategorike kreu i qeverisë përjashtoi mundësinë e bashkëpunimit me partinë e Kryemadhit ndërsa nuk bëri të njëjtën gjë për PD. Rama u shpreh se nuk do të ketë asnjëherë koalicion me LSI çfarëdo që të ndodhë. Ndërsa, për PD ai u shpreh se po përpiqet që të zbusë gjakrat dhe rregullojnë mardhëniet. Në lidhje me koalicionin PD-LSI, kreu i qeverisë u shpreh se kreu i PD Lulzim Basha është marrë peng më anë të një kontrate nga ish-kryeministri Sali Berisha, presidenti Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi. “Me LSI-në asnjëherë koalicion, në asnjë rast, për asnjë arsye. PD-LSI kanë bërë një kontratë parazgjedhore dhe pastaj janë futur në zgjedhje veç e veç. Kjo është diçka shumë domethënëse. Kontrata e tyre parazgjedhore është në fakt një kontratë që noterizon pengmarrjen e Lulit nga Monika për llogari të Ilirit dhe të Saliut. Iliri dhe Saliu duan me çdo kusht që të garantohen që Luli nuk iu del nga duart. Monika është garant e kësaj nevoje, në pjesën e fshehtë të kontratës kapja prej fyti e Lulit është bërë shumë e strukturuar. Por do të ishte shumë e rëndësishme dhe unë do të bëj gjithë përpjekjet e mia që klima e marrëdhënieve mes nesh dhe palës tjetër të ndryshojë sepse nuk mund të vazhdohet kështu”, tha Rama. Ndërkohë, gjatë një takimi në qytetin e Fierit, Rama kujtoi koalicionin me LSI në mandatin e parë të qeverisjes. Kryeministri përmendi se reforma në drejtësi ishte një lëvizje e mirë, por jo e sinqertë nga LSI. Sipas tij, Meta asaj kohe i kërkoi në shkëmbim të reformës vende pune. Rama tha se LSI as vetëm dhe as në koalicion nuk mund t’u sjellë asnjë të mirë shqiptarëve. “Luli dhe PD-ja nuk janë të lirë. Ata janë të lidhur nga Iliri dhe Monika. Kur ishim në koalicion me LSI-në, kemi bërë plot gjëra të mira, ne për reforma, ata për vende pune. Për të kaluar një reformë këtej, duhet të jepnim 10 vende pune andej. Ata nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për reformat. Ata funksionojnë si qelizat e kancerit. Rritja dhe shpeshtimi i qelizave të kancerit njihen për rritje të pakontrollueshme, që në fund bëjnë asgjësim e të gjithë trupit. S’mund të kthehemi mbrapa”, u shpreh ai.