S’kanë fund largimet nga strukturat e LSI-së, Kryemadhi del me mesazhin e fortë

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi është takuar pasditen e sotme me strukturat e kësaj force në Shkodër, nga ku ka thënë se socialistët e gjejnë veten pranë LSI-së dhe se sipas saj Rilindja e shkatërroi emrin e PS-së.

“Unë sot e kam filluar ditën që në qytetin e Lezhës, ku pimë kafen e mëngjesit me shokët tanë, me Viktor Tushën, me Petrit Gjonin, me Agustin Markun ish kryetarin e PS-së së Lezhës, me ish kryetarin e PS-së së Zejmenit, apo edhe shumë të tjerë, që janë miqtë tanë. Kanë qenë miqtë e mi të vjetër në Partinë Socialiste dhe tani janë miqtë e rinj në LSI, por përsëri ngelen miq të vjetër. Të ripërsëris atë që tha edhe Goni, në fakt tashmë nuk ka dallim LSI dhe socialist, sot jemi të gjithë bashkë.

Të gjithë socialistët e gjejnë veten pranë LSI-së, sepse Rilindja shkatërroi emrin e Partisë Socialiste duke degraduar në arrogancë, në atë shfaqje të shëmtuar që pamë, kur 3-4 ditë më përpara, tre çereku i Shkodrës, i Laçit dhe i Lezhës ishin kthyer si Venecia, më toka, rrugë dhe shtëpi të përmbytura dhe ndërkohë shikoni ministrat e qeverisë që darkonin në restorante luksoze. Por nuk është vetëm ky problemi”, tha Kryemadhi.