‘Kjo është një çështje madhore, ne nuk kemi vend me përmasa të tilla’, Bujar Nishani hapur kundër Ilir Metës

Presidenti Meta gjatë daljeve të tij publike, ka përsëritur thirrjet për një referendum mbarëkombëtar, me qëllim rrëzimin e mazhorancës aktuale. Ish-presidenti i vendit Bujar Nishani, i ftuar në emisionin “Top Talk”, tha se Partia Demokratike përshëndet vullnetin e presidentit Meta për referendum, por shtoi se kjo do të ndodhë pas zgjedhjeve të 25 prillit, pasi Partia Demokratike dhe aleatët e saj janë fokusuar tek aksioni politik i para zgjedhjeve.

I pyetur nga gazetari Denis Dyrnjaja, në lidhje me qëndrimin e Partisë Demokratike në lidhje me deklaratat e presidentit Meta për ndryshimin e Republikës së Shqipërisë, pra të kalohet nga ajo Parlamentare në atë Presidenciale ku roli kryesorë do i kalonte presidentit, Nishani tha se kjo ndodh në demokraci më të zhvilluara se sa ajo e vendit tonë.

Ai shtoi se vendi aktualisht ka nevojë që të stabilizojë demokracinë dhe më pas të vijojë maturimin e Republikës Parlamentare ashtu sikurse është dhe tani.

“Kjo është një çështje madhore, opinion personal kam. Ne nuk kemi as një vend me përmasa të tilla, as me institucione të tilla, që të kalojmë në një republikë presidenciale. Unë mendoj që Shqipërisë i duhet të konsolidojë dhe të rikthejë normalitetin e pushtetit të rëndësishëm legjislativ. Jemi demokraci e re, kemi nevojë për dinamizëm në politikë, për përfshirje në politikë, të aktorëve të ndryshëm, veçanërisht të gjeneratës së re. Unë mendoj që aksioni politik do të jetë i domosdoshëm në vend, edhe për një farë kohe jo të shkurtër në këtë vend të maturimit të demokracisë në Republikën Parlamentare”, përfundoi Nishani.