Nga manipuluesit e votave te gjyqtarët, 37 qokat e fundit të Ilir Metës me nënshtetësinë në limitet e skadimit të ligjit të ‘98

Presidenti Ilir Meta nxitoi për të pajisur me nënshtetësi shqiptare klientët e fundit në emër të interesit kombëtar dhe si personalitete, ligji ri i jep fund historisë së skandalit të dhënies së nënshtetësisë pa plotësuar kushtet, rastet e veçanta do verifikohen nga Ministria e Brendshme, ja pse e kundërshtoi Presidenca ligjin e ri.

Presidenti Ilir Meta nuk u është ndarë qokave me lëshimin e nënshtetësive shqiptare për njerëz anonimë dhe personazhe të lidhur me histori krimi, korrupsioni dhe këngëtarë damash, deri në orët e fundit të skadimit të ligjit të vitit 1998, duke përdor gjithnjë në mënyrë abuzive një hapësirë në këtë ligj, ku në raste të veçanta parashikohet dhënia e shtetësisë, edhe pa plotësuar kushtet dhe pa ndjekur procedurat, nëse kërkuesi përbën interes kombëtar për Shqipërinë, pra është personalitet i shquar. Në 13 tetor 2020, vetëm një ditë para hyrjes në fuqi ligjit të ri, i cili i jep fund historisë së dhënies së nënshtetësive si të ishin tesera partie, Presidenti Ilir Meta, me dekretet nr. 11779 dhe 11780, ka pajisur me nënshtetësi shqiptare 37 persona të tjerë, me procedurë të jashtëzakonshme dhe pa zbatuar protokollin e sigurisë, me pretendimin se janë ‘asete kombëtare’.

Në 29 shtator 2020 është botuar në Fletoren Zyrtare ligji i ri nr. 113/2020, për dhënien e nënshtetësisë, i miratuar fillimisht në korrik 2020, i kthyer nga Ilir Meta në gusht dhe i miratuar sërish nga Kuvendi, pa asnjë ndryshim në shtator 2020. Ligji merrte fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, pikërisht në 14 tetor, ndërsa Meta ka firmosur dekretet në 13 tetor, duke i shpëtuar përfituesit nga procedura e verifikimit që parashikon ligji i ri. Ashtu si lista me 382 emra të botuar nga Shqiptarja.com., edhe listat e fundit, përmban tre-katër personalitete që e meritojnë vërtetë shtetësinë pa procedura të stërzgjatura, ndërsa pjesa tjetër janë njerëz anonimë dhe personazhe të implikuar në skandale.