Rrushi me Erë – Krahas Shijes Unike, Fuqi Shëndeti Për Organizmin

Rrushi me erë është i famshëm për shijen e tij fantastike dhe aromës së mrekullueshme që të përfshin tërësisht.

Padyshim është ndër varietetet më të preferuara të shqiptarëve dhe koha e vjeljes së tij është pikërisht tani në vjeshtë.

Kokrrat e tij janë shumë të ëmbla me një shije fantastike plotësuar nga aroma tipike dhe e pakrahasueshme.

Lëkura e rrushit me erë është pak më e trashë se e rrushit të zakonshëm por vlerësohet se eshtë e pasur me sasi të lartë antioksidantësh.

Fantastik në përgatitjen e verës dhe rakisë, dy nga traditat më të hershme të shqiptarëve por sigurisht është ndër frutat më të preferuara të stinës.

Aktualisht gjendet në tregjet e fruta-perimeve dhe kryesisht në tregjet e fshatarëve.

Por krahas shijes të mrekullueshme, rrushi me erë shquhet për vlerat e tij shëndetësore, të cilat AgroWeb.org j’ua sjell më poshtë.

Për Shëndetin e Trurit, Zemrës dhe Kockave

Rrushi me erë është i pasur në vlera ushqyese.

Ai ndihmon në parandalimin e osteoporozës, problemet me kockat duke ndikuar në ruajtjen e dendësisë së tyre.

Gjithashtu, rrushi me erë ka veti të forta në parandalimin e krijimit të venave varikoze.

Ndihmon në përmirësimin e funksionimit të trurit dhe parandalon lindjen e disa sëmundjeve degjeneruese.

Duke patur në përbërjen e saj sheqerna të thithshme nga trupi i njeriut si fruktoza dhe glukoza, rrushi me erë, por jo vetëm edhe llojet e tjera të tij duhet të konsumohet në sasi të kontrollueshme nga diabetikët.

Rrushi përmban shumë antioksidantë dhe energji natyrale

Ky frut është i pasur me kuercetinë dhe resveratrol. Të dy njihen si antioksidantët më të fuqishëm.

Të gjitha llojet e rrushit përmbajnë polifenolë të njohur si acidi fenolik dhe flavonoide.

Fruti i rrushit ndihmon në uljen e rrezikut të formimit të trombozës që mund të shkaktojë atak në zemër.

Ekspertët e AgroWeb.org sugjerojnë se rrushi jo vetëm që pakëson gjasat e mpiksjes së gjakut në arterie, por edhe forcon oksidin nitrik që i mban arteriet të shëndetshme e të forta.

Lëngu i rrushit përmban flavonoidë që parandalojnë oksidimin e kolesterolit të keq në trup, që shkakton një barrë të rëndë në arterie dhe shkakton arterosklerozë./AgroWeb.org