PS e gatshme për ndryshime, por nuk i diskuton koalicionet. Zbardhet diskutimi në Komisionin e Ligjeve

Zyrtarisht dje Kuvendi hodhi hapin e parë drejt ndryshimeve në Kodin Zgjedhor për të përshtatur ndryshimet që iu bënë Kushtetutës në seancën plenare të datës 30 korrik.

Në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve u miratua në parim drafti për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, duke tentuar të hapë listat dhe të pamundësojë koalicionet në formën tradicionale siç ka qenë në 2 dekadat e fundit në Shqipëri. Mbledhja e djeshme mori në shqyrtim draftin që ka propozuar PS-ja për ndërhyrjen në Kodin Zgjedhor, si dhe amendamentet e paraqitura nga opozita parlamentare, por edhe disa projektligje që janë propozuar për të ndërhyrë në ligjin zgjedhor.

KOALICIONET

Një nga çështjet ku thuajse nuk pati debat ishte ajo për koalicionet parazgjedhore. Përfaqësuesi i PS-së në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri, shpjegoi se përse nuk mundet që pas hapjes së listave të mund të ekzistojnë edhe koalicionet klasike siç i kemi pasur deri më tani.

“Me ndryshimin e Kushtetutës ra ajo traditë për koalicionet. Tradita ra, se ndodhi një ngjarje e madhe, ndodhi një tërmet politik, se ndryshoi Kushtetuta. Tërmet politik, se e kanë qejf. Ndryshimi i Kushtetutës prishi një traditë, që do të thotë natyrshëm që Ligji Zgjedhor do të reflektojë ndryshimet e reja. Ndryshimi i Kushtetutës ka diktuar një thyerje të traditës së koalicioneve zgjedhore, të cilat do të kenë një qasje tjetër dhe këto janë elaboruar në ndryshimet kushtetuese. Kjo ishte për çështjen e koalicioneve pse e kemi formuluar ashtu. Pra do të thotë dy ose më shumë parti që paraqesin një listë të përbashkët, siç është partia politike, ashtu është edhe koalicioni”, tha Gjiknuri.

ADMINISTRATA ZGJEDHORE

Në diskutimet e djeshme të Komisionit të Ligjeve, deputeti Myslim Murrizi hodhi idenë për të pasur një trupë jopolitike të numëruesve të votave.

“Ne kërkojmë që numërimi të jetë me administratë jopolitike, nuk është e tepërt që të gjendjen 1008 votues që të vijnë nga arsimi, noterë, nuk besoj se është e vështirë për t’i gjetur. Nuk na tremb pragu, por nëse me 10% të votave një subjekti politik i takojnë 14 mandate, ku do t’i gjeni mandatet. Prag kombëtar me sistem rajonal nuk mund të ketë. Prandaj idealja do të ishte që të ishte prag natyral. As nuk iu hyjmë në hak e as mos na hyni”, tha MyslimMurrizi. Këtë propozimit të Murrizit e mbështeti edhe ishministri socialist Fatmir Xhafaj, i cili e cilësoi si tëdomosdoshëm. “Këtu ka një kakofoni të madhe dispozitash, mesa unë shoh. Shoh një larmi propozimesh. Për shembull, propozimi i z.Murrizi në lidhje me numërimin e votave, mua m’u duk interesant. Sidomos në kushtet e kësaj formule të re, është i domosdoshëm për tëkrijuar transparencë, për të mos krijuar tensione mes palëve”, tha mes të tjerash Fatmir Xhafaj.

LISTAT

Për hapjen e listave, DamianGjiknuri theksoi se në draftin që ka paraqitur PS-jaështë gjetur varianti më i përshtatshëm për realitetin politik të Shqipërisë. “Hapja e listave do të thotë mundësia që u jepet zgjedhësve me votë parapëlqyese për të zgjedhur. Kjo është e garantuar me Ligjin Zgjedhor. Asnjë nuk e kundërshton që çdo qytetar ka mundësi t’i vërë kryqin çdo individi aty. E dyta, hapja e listave pse bëhet me këtë mekanizëm që ne propozuam, vlerën mesatare të mandatit për çdo forcë zgjedhore në bazë të mandateve që ka përfituar? E para, partitë politike konkurrojnë me ekip. Unë si PS dal me listë njerëzish dhe zgjedhësi kur shef ekipin thotë mua më pëlqen edhe Ulsiu edhe Vasilika, mund të mos pëlqejë Damianin, por mund të pëlqejë një të tretë. Pse unë duhet t’i vë kryqin një njeriu dhe t’i heq shanset një njeriu tjetër?”, tha Gjiknuri.

PRAGU ZGJEDHOR

Sakaq, pjesa më konstruktive e debatit në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ligjeve ishte pika kur u diskutua për çështjen e pragut zgjedhor. Për këtë të fundit, që në draftin e PS-së propozohet të jetë 3% në rang kombëtar, dhe në draftin e opozitës 1% në rang kombëtar, nga përfaqësuesit e PS-së u la të kuptohej se mund të diskutohet dhe të arrihet në një pikë ku palët mund të pajtohen të gjitha. “Çështja e pragut, edhe kjo është një propozim që në fillim ishte 5%, pastaj u vendos që të përcaktoheshin nga ligjvënësit. 3% quhet një prag normal, i ulët. Kjo është diçka që duhet të diskutohet dhe jemi të hapur të negociojmë”, u shpreh DamianGjiknuri.