Thellohet skandali financiar i Shkëlzen Berishës: Skema si mori 1.8 milion euro nën hundën e Shtetit me kompaninë me vetëm një punonjës

Thellohet dhe merr një tjetër rrjedhë skandali financiar me protagonist Shkëlzen Berishën, i cili deklaron se ka marrë një kredi 1.8 milionë euro për të blerë disa prona pranë Gërdecit, duke i lënë si garanci bankës pikërisht këto prona, vlera e të cilave është dukshëm shumë më e ulët se sa principali, pra se vlera totale që Shkëlzeni i ka borxh bankës. Dokumentet e reja të siguruara nga Report Tv ngrenë dyshime të forta mbi këtë afere. Kompania ‘Logal’ sh.p.k me pronar Shkëlzen Berishën është e regjistruar në vitin 2015 dhe zyrtarisht zhvillon si aktivitet ”menaxhimin e hapësirave për zhvillim biznesi dhe procesesh përpunuese të produkteve ushqimore, frutave etj”.

Në datën 24 dhjetor 2018 Shkëlzen Berisha si ortaku i vetëm merr vendimin të firmosë një kredi me Banka Intesa Sanpaolo për një vlerë prej 1.8 miliona euro për të financuar një kontratë shit-blerje të mbyllur në datën 19 dhjetor 2018, pra 6 ditë përpara. Por si e ka paguar kontratën nëse ende nuk kishte marrë kredi?

Por ky nuk është misteri i vetëm. Më të njëjtin vendim Shkëlzen Berisha vendos t’i ofrojë bankës si koletarel për financimin e 1.8 milionë euro një listë pronash ”të përfituar me fonde të kësaj kredie”. Behet fjalë për 3 parcela arë për një total prej 6.183 metra katrorë dhe 3 parcela te tjera truall prej 14.220 metra katrore nga të cilat 5.066.5 metra katrorë godinat, të gjitha pozicionuar në zonën kadastrale 2605 të fshatit Marqinet të Vorës, ngjitur me zonën e Gërdecit, kur në vitin 2008 shpërtheu bashkë me një fabrikë demontimi fishekësh ushtarake, duke shënuar skandalin politik më i madh që kishte prekur deri atëherë familjen Berisha.

Në zonën e Marqinetit vlera e tokës varion nga 20 deri 30 euro metri katror maksimumi, ndërsa për sa i përket godinave varet nga vjetërsia, por në çdo rast vlera totale e pronave duket disa herë me e vogël se sa totali i financimit të kërkuar. Si ka mundësi që banka mund të ketë financuar 1.8 milion euro me një kolateral që normalisht duhet të vlejë minimumi 120 % totali i principalit, ndërkohë në këtë rast vlen disa herë më pak?

Në dokumentin financiar të kompanisë ”Logal” për vitin 2018, vit që përkon edhe blerje edhe marrjen e kredisë, nuk rezulton të deklaruara pronat e paluajtshme që Shkëlzeni pretendon se i posedon dhe se i ka lënë si kolateral për të marrë kredinë. Por në bilanc rezulton një kredi prej 232 milionë lekë (të reja) dhe blerje të impiantesh dhe makineri për një vlerë 241 milionë lekë të reja. Por, nëse kontrata blerje ishte për toka arë, truall dhe godinat, pse në bilanc dalin impiantet dhe makineri?

Por çudia vazhdon. Nga verifikimi i pasqyrave financiare kompania e Shkëlzen Berishës ‘Logal’ sh.p.k nuk është e besueshme për të bindur bankat për t’i dhënë kredi të tilla në shuma të tilla. Në fakt ka pasaktësi të rënda sa i takon vlerës së fluksit të parave të kompanisë. Konkretisht, pasqyra e fluksit të mjeteve monetare për vitin 2017, që është një tregues besueshmërie për bankat, ka pasaktësi dhe mospërputhje. Gjendja në bankë e kompanisë sipas bilancit te 2017 ishte 508 750 lekë, ndërkohë fluksi i mjeteve monetare i deklaruar në 2018 është vetëm 2.070.494 lekë, pra më pak se 20.000 euro. Si mund ta këtë besuar banka dhe lëshuar një kredi 1.8 milionë euro?

Por ka edhe një mister të fundit. Kompania ”Logal” e Shkëlzen Berishës ka deklaruar për vitin 2018 rreth 32 milionë lekë (të reja) të ardhura, ndërkohë që kosto e personeli është vetëm 9.798 lekë: praktikisht del një kompani pa staf, dhe njeriu i vetëm i punësuar ka një rrogë 500 lekë në muaj, jashtë çdo parashikimi ligjor.

Si ka mundësi që djali i ish-kryeministrit që akuzon çdo ditë gjithë shqiptaret për vjedhje, evazion tatimor, korrupsion, rezulton të jetë përfshirë në një skandal financiar me këto përmasa, dhe asnjë institucionin shtetëror nuk ka reaguar? Apo është akoma në fuqi parimi që ligji vlen për të gjithë, përveç familjes Berisha?! /Shqiptarja