Shefja e Epidemiologjisë, Silva Bino për Covid: Në Tiranë situata ka dalë jashtë kontrollit, vatrat kryesore janë…

Përgjegjësja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino, ka thënë se vendet e punës dhe rrethet familjare janë vatrat kryesore të përhapjes së Covid-19.

“Janë marrë kryesisht në vendet e punës apo në vatrat familjare, apo në shtëpi. Atje ku është ruajtur distanca dhe është mbajtur maska nuk kemi gjetur transmetim,” thotë ajo për Klan.

Sipas Binos, në Tiranë situata është jashtë kontrollit për shkak të transmetimit komunitar.

“Duke pasur parasysh transmetueshmërinë e këtij virusi, ne vëmë re që kemi të bëjmë me një sëmundje që është më ngjitëse se sa mendohej në fillim, pra në qoftë se flasim për Shkurtin. Nuk kemi të dhëna për ndryshime genetike apo mutacione që ta bëjnë virusin më të rrezikshëm apo më të rëndë.

Është i dukshëm transmetimi komunitar kryesisht në Tiranë, shumë më pak në të gjitha rrethet e tjera, por hetimi epidemiologjik duhet të kryhet gjithnjë.

Pavarësisht se mund të kemi vatra të vogla familjare dhe transmetime në komunitete, ti duke kryer hetimin evidenton lidhjet midis tyre dhe përpiqesh të ndalosh sa më shumë. Ky është një element i cili duhet përforcuar”.