Rikthimi i të larguarve/ Balliu: S’ka vend për ata që e shohin partinë për ta mjelur

Ish-deputeti demokrat, Klevis Balliu, ndërsa ka folur për procesin e hapjes që ka nisur në PD, thotë se partia është e hapur për këdo që do të bashkëpunojë dhe të japë kontribut për rikthimin e saj në pushtet.

Në një intervistë për “Rtv Ora”, ndërsa u ndal tek rikthimi i të larguarve, Balliu tha se PD nuk u ka atyre asnjë borxh dhe se përkundrazi, “i mbajti për 8 vite ministra e deputetë”.

Sipas Balliut në PD nuk ka vend asnjë person që e shikon këtë parti si “lopë për ta mjelur”.

“Kushdo që do të marrë pjesë është i mirëpritur, por nëse dikush e sheh se nëse nuk është deputet i PD nuk bën, se nëse nuk është Ministër i PD nuk bën. Ai nuk e ka vendin në atë parti sepse ai e sheh atë parti për ta mjelur dhe nesër e sheh edhe Shqipërinë për ta mjelur. Këto figura duhet ti ndajmë. Kushdo që ka dëshirën të angazhohet patjetër që është i mirëpritur për të punuar për interesat kombëtare të Shqipërisë.

Tezat që të vi unë dhe të ikë ky nuk funksionon. E kam shumë mirë parasysh kush janë emrat që ju mendoni, PD nuk u ka asnjë borxh atyre njerëzve se i mbajti 8 vjet Ministra dhe deputetë. Janë ata në borxh me PD dhe strukturat e PD. Duhet të vërtetojnë dhe të punojnë më shumë se çdokush që PD të vijë në pushtet dhe pastaj të mendojnë për karrierat e tyre“, u shpreh ai.