Rama porosi deputetëve në qarqe: S’ka zgjedhje të parakohshme në Bashki! S’jam për lista të hapura, por deri në fund s’i dihet! Mund të mos kemi koalicione parazgjedhore

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar ditën e sotme takime me deputetët sipas qarqeve, ku ka ndarë detyrat për fushatën zgjedhore 2021 dhe ka dhënë paralajmërime të qarta se nuk ka zgjedhje të parakohshme në Bashki dhe se nuk është për lista të hapura. Në preferencën e tij nuk janë listat e hapura, megjithatë shefi i qeverisë është shprehur se “deri në fund nuk i dihet”.

Një tjetër çështje që Rama është ndalur të flasë janë edhe koalicionet parazgjedhore, i cili paralajmëron se në zgjedhjet e ardhshme mund të futen të vetëm. Nisur nga këtë porosi që numri një i qeverisë u ka dhënë deputetëve në qarqe, mund të flitet për një dritë jeshile në takimin që Rama ka me opozitën e re që ka nisur që prej 19:00, pasi heqja e koalicioneve parazgjedhore dhe hapja e listave janë kërkesat e tyre të panegocioushme, që kanë kushtëzuar edhe votën e tyre mbi marrëveshjen e Reformës Zgjedhore të arritur nga Këshilli Politik.

“Nuk ka zgjedhje të parakohshme për bashkitë, kryebashkiakët do të vijojnë mandatin e tyre. Unë nuk jam për lista të hapura, por çfarë nuk ndodh deri në fund, kështu që kjo fushatë është betejë e juaja. Në varësi të dinamikës politike, mund të mos kemi koalicione parazgjedhore”, mësohet t’u ketë thënë Rama.

Këto takime janë është zhvilluar ditën e sotme në Sallën e Hartave në kryeministri që prej orës 13:00 deri në orën 19:00, me qëllim riorganizimin e partisë dhe mobilizimin e strukturave për zgjedhjet e pranverës. Ndërkohë mësohet se Rama do të thërrasë nesër edhe kryebashkiakët në disa takime të ndryshme të grupuara sipas qarqeve.