Pse opozita, nuk mund ti bëjë dot presion PS për 30 Korrikun

Nga Alfred Peza/

Përveçse nuk është mënyra më e mirë në demokraci për të arritur qëllimet politike, opozita e rrugës e ka provuar në këto 7 vitet e fundit të paktën, që nuk mund të fitojë asnjëherë asgjë përmes rrugës së presionit ndaj PS. Më 30 Qershor, Kuvendi do të diskutojë dhe do të miratojë, marrëveshjen e 21 korrikut të firmosur mes mazhorancës dhe përfaqësuesve të opozitës së re parlamentare. Sikundër votoi të enjten e kaluar, edhe marrëveshjen e arritur më 5 qershor mes PS, PD e LSI në Këshillin Politik.

Do apo sdo PD, LSI dhe aleatët e tyre. Do apo sdo Lulzim Basha, Sali Berisha, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, Parlamenti do të votojë më 30 korrik hapjen e listave të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e pranverës së 2021. Duan apo sduan ata, Kuvendi ka gjithë të drejtën e vet legjitime për të votuar për modelin e listave që nuk e pengojnë opozitën ti hapi edhe 100%, nëse dëshiron që ta bëjë këtë.

Do apo sdo “Opozita e Bashkuar”, Parlamenti do ta votojë më 30 korrik edhe çështjen e koalicioneve parazgjedhore, sipas modeleve të sistemit proporcional rajonal që aplikohen në vendet e OSBE/ ODIHR. Kjo do të thotë se PD, LSI dhe aleatët e tyre nuk mund ta pengojnë dot Kuvendin në të drejtën e vet legjitime për të standartizuar çështjen e koalicioneve paraelektorale. Nëse dëshirojnë, nëse kanë vullnet politik, në asnjë rast dhe për asnjë arësye atyre nuk do tu hiqet mundësia, që të hyjnë në një koalicion të përbashkët parazgjedhor.

Opozita e rrugës nuk e do hapjen e listave, as 1%, e as 100%. Nuk i do koalicionet parazgjedhore sipas modeleve europiane. Sepse nëse do ti donte, ekspertët e tryezës së Këshillit Politik kanë deklaruar se për këtë, nuk ka asnjë pengesë nga ana e PS. Historia e 30 viteve të postkomunizmit, ka dëshmuar se kur palët kanë patur vërtetë vullnet politik për arritjen e një konsensusi, të gjitha pengesat kanë qenë të kapërcyeshme. Por PD dhe LSI janë në kërkim të bllokimit. Nuk kanë asnjë arsye juridike e kushtetuese, por vetëm politike, duke dëshmuar se qëllimi i tyre final është pengmarrja e këtij procesi.

Opozita e rrugës nuk mund ti bëjë dot presion PS.

Mazhoranca i është përmbajtur të gjitha angazhimeve të saj për marrëveshjen e 5 qershorit, edhe në shkelje të rekomandimeve të OSBE/ ODIHR, vetëm e vetëm për të miratuar listën e dëshirave të Lulzim Bashës e Monika Kryemadhit si garanci për ta, në lidhje me procesin e ardhshëm zgjedhor. Por, kaq. Mazhoranca ka një marrëveshje edhe me opozitën Parlamentare, së cilës do ti përmbahet deri në fund. Të mos bëjnë sikur nuk ka ndodhur asgjë, ndërkohë që kanë një vit e gjysëm jashtë institucioneve!

Ndaj, 30 korrikun, nuk e ndalin dot.

Opozita e rrugës nuk mund ti bëjë dot presion PS.

Demokracia dhe pluralizmi nuk janë luftë muskujsh, zjarri e gurësh. As festival sharjesh, fyerjesh e kërcënimesh. Por çështje votash. Nëse opozita i ka votat siç thotë, ka mbështetjen e shqiptarëve siç pretendon, fitorja është në anën e saj. Të gjitha të tjerat janë pallavra. E kanë provuar edhe me presionin e çadrës së “Republikës së Re” të 2017, edhe me atë të diegies së mandateve dhe të bojkotimit të zgjedhjeve të 2019. As fituan e as kanë për të fituar. Asnjëherë. Asgjë!

Ndaj, 30 korrikun, nuk e ndalin dot!

Opozita e rrugës nuk mund ti bëjë dot presion PS.

Sa herë që urtësinë e mazhorancës e kanë marë për dobësi, aq herë kanë gabuar. Sa herë që përgjegjësinë e PS përpara stabilitetit afatgjatë të vendit, e kanë marë për tërheqje, aq herë janë ndëshkuar nga qytetarët. Sa herë që vendosjen mbi gjithçka të së ardhmes europiane të Shqipërisë e kanë marë për naivitet, aq herë kanë dështuar në tentativat e tyre bllokuese dhe minuese për reformat e shtetformimit tonë modern.

Ndaj, 30 korrikun, nuk e ndalin dot!

Ka gjithmonë vetëm një rrugë për të fituar edhe opozita e rrugës, edhe opozita Parlamentare, edhe mazhoranca qeverisëse, edhe Shqipëria. Është rruga e arsyes. E konsensusit. E ngritjes mbi interesin e vockël të ndonjë lideri apo partie politike. Pas kësaj, gjithçka është e mundur për gjithkënd. Më pas, të gjithë të garojnë si të barabartë dhe le tia lemë qytetarëve shqiptarë, të vendosin me vullnetin e tyre të lirë, se kush do ta qeverisë Shqipërinë jo vetëm në 4 vitet e tjera, por edhe në të ardhmen!

Përndryshe, 30 korrikun, nuk e ndalni dot!