Normalitet i ri nga pandemia, vijon puna në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës

Në një normalitet të ri të imponuar nga Covid-19, vijon puna dhe jeta në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.

Autoriteti i Aviacionit Civil bëri të ditur sot se “pas rinisjes së fluturimeve në datën 22 qershor, situata është nën kontroll dhe masat po zbatohen me përpikmëri”.

Autoriteti i Aviacionit Civil falënderon qytetarët për kujdesin e shtuar dhe bashkëpunimin si dhe i fton ata që të jenë më vigjilentë në lidhje me ndryshimin e situatës e cila, thekson AAC, “është mjaft dinamike”.

“I mirëpresim në siguri të plotë dhe kujdes maksimal në gjithë udhëtimin e tyre”, thekson AAC.

“Duam të shpresojmë se shumë shpejt situata do të përmirësohet dhe për këtë sensibilizimi ynë, maskat, tunelet dezinfektuese, termometri, broshurat informuese, distanca, dhe të gjitha veprimet e nevojshme parandaluese anti COVID -19, do të na ndihmojnë që kjo ditë të vijë sa më parë”, shtoi Autoriteti i Aviacionit Civil.