“Me gotë rakie e me barkun te goja ankohen se s’kanë për të ngrënë”

Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu ka thumbuar dhe bërë humor njëkohësisht me paradoksin që karakterizon shqiptarët se kërkojnë punë, por përtojnë të punojnë, se ankohen se nuk kanë të hanë dhe ndërkohë janë me barkun te goja nga mbipesha. Me një status në profilin e tij në Facebook, Ndreu shkruan se shqiptarët janë njerëz që ankohen për papunësinë, por ofendohen nëse iu gjen punë.

“Nëse doni njerëz që bërtasin se nuk kanë punë dhe për pasojë po vdesin për bukë, i ke me shumicë. Ama nëse kërkon punëtor për punë nuk gjen. Vij thotë por me marrë rrogën, jo me dalë në punë, ose në një punë që dal kur të dua e ik kur të dua. Se mos gabon e i gjen punë në privat se e merr për fyerje të rëndë ! Dhe pastaj të gjithë qahen se po vdesin për të ngrënë me gote rakie përpara dhe me barkun te goja nga mbipesha”, shkruan Ndreu.