Manastirliu poston foton nga pacienti në terapi intensive, ka një lutje për të rinjtë: Mendoni pak për të nesërmen…

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu i bën thirrje të rinjve dhe të rejave të tregojnë më tepër përgjegjshmëri, duke respektuar masat ndaj pandemisë së koronavirusit.

Ministrja Manastirliu ka vendosur të postojë në rrjetet sociale fotografinë e një pacienti të prekur me Covid-19, për të tërhequr vëmendjen e të rinjve, për rrezìkshmërinë e madhe që paraqet infeksioni.

“E mirëkuptoj shkujdesjen e moshës, zellin për të relativizuar çdo gjë, madje edhe një sëmundje si kjo që shkakton koronavirusi.

E mirëkuptoj edhe prirjen tuaj për të mos besuar ekzistencën e diçkaje që nuk shihet me sy.

Ka shumë gjëra që nuk i shohim, por kjo nuk do të thotë që nuk ekzistojnë. Dhe një prej tyre është COVID19, që ka vënë në vështirësi Botën mbarë,” shprehet Manastirliu.