“Nuk dola këtu për problemet”, Majko flet për lajmin e jashtëzakonshëm dhe bën apel për ndihmë

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, dha sot lajmin e mirë, ku tha se të gjithë shtetasve mbi 75-vjeç i shtyhet afati i pasaportave pa limit.

Nga foltorja e Kuvendit, Majko tha se kjo prek shumë dhe shtetasit tanë jashtë vendit, të cilët, sipas tij, kanë shumë ankesa për ofrimin e këtyre shërbimeve.

Duke u ndalur tek vota e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, Majko përshëndeti dakordsinë e arriturat dje në Këshillin Politik mes palëve, por tha se kjo nuk duhet të shndërrohet më pas në “sherrnajë që nuk kemi mundësi të nxjerrim pasaportën dokumentet dhe pastaj të kalohet në një moment gjysmë krize”.

Ministri u shpreh mes të tjerash se kishte marrë fjalën për të dhënë lajmin e mirë, e jo për të ngritur probleme, ndërsa kërkoi ndihmën e parlamentit për t’i kapërcyer ato.

Pjesë nga fjala e ministrit Majko:

Është një moment i rëndësishëm, shtyrja e afatit të pasaportave pa limit për moshën mbi 75-vjeç, është një akt i rëndësishëm prek më së shumti interesat për shtetasit tanë jashtë vendit, kjo edhe për arsye të një varg vështirësisë. Kemi gjysmë e popullsisë jashtë vendit dhe kemi ankesa për mënyrën e ofrimit të këtyre shërbimeve.

Po sjell dy raste, në Kanada, të gjithë shqiptarët, duhet të shkojnë në New York për të bërë pasaportat. Rast ekstrem edhe ai i Kretës, që ka 35 mijë shtetas të Shqipërisë që jetojnë atje, duhet ët shkojnë me avion dy herë nga Kreta në Athinë. Unë u ngrita për të thënë që kemi dhënë një ndihmë të madhe për shtetasit tanë që kalojnë moshën 75-vjeç, por shqetësim do të kemi mënyra si do organizojmë shpërndarjen e dokumentit ët identifikimit dhe pasaportave të shtetasve tanë që janë të shpërndarë në vend e të ndryshme të botës dhe veç kometave priten zgjidhje nga ne. Unë shpresoj që shumë shpejt, me përfaqësues të ministrisë së Brendshme dhe ministrisë së jashtme ne të ulemi së bashku me kompaninë franceze, drejtorinë konsullore, atë të gjendjes civile sepse kjo është një ndër emergjencat më të mëdha.

Dje Këshilli Politik ka marrë një vendim të rëndësishëm, që e dua ta përshëndes, për rakordimin dhe vënien në parim nga të dyja palët. Është reformë esenciale. Dje u ndez drita jeshile, jam shpresë plotë se në Komisionin e Reformës Zgjedhore do merren vendimmarrje bazuar mbi këtë marrëveshje dhe ne t’u ofrojmë atë të drejtë kushtetuese që ua kemi mohuar për zgjedhje të tëra.

U ngrita këtu me shqetësimin që duhet të punojmë fort, sepse kjo nuk duhet ët kthehet në një sherrnajë që nuk kemi mundësi të nxjerrim pasaportën dokumentet dhe pastaj të kalohet në një moment gjysmë krize sa i përket të drejtës së aplikimit të votës. Dola këtu për të dhënë lajmin e mirë, nuk dola për ngritur problemet, probleme do të ketë, por do të kërkoj ndihën e parlamentit, na e keni dhënë ndihmë dhe jam i buindur që do na e jepni për elementin më thelbësor që besoj se do të votohet në këtë parlament.