‘Ne në PS e ndajmë politikën nga drejtësia, nuk përzihemi’, Saimir Tahiri ministri kampion? Spiropali: Askush nuk…

Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, ka komentuar çështjen Tahiri, tashmë që dosja e tij është rikthyer në pikën zero, dhe rigjykimi do të nisë nga e para.

Në emisionin ‘Kjo Javë’ me gazetaren Nisida Tufa, ajo tha se të gjithë duhet të kenë besim te drejtësia, dhe se ndjen keqardhje për Tahirin dhe zvarritjen që po i bëhet çështjes së tij.

Përsa i përket epitetit ‘Ministri kampion’, ajo tha se Tahirit nuk mund t’i mohohet puna që ka bërë si kryetar i PS së Tiranës dhe ministër i Brendshëm.

Tufa: Çfarë mendoni për çështjen Tahiri, tanimë që çdo gjë është kthyer nga zero?

Spiropali: Nuk mund të komentoj mbi një vendim gjykate, por ndjej një keqardhje njerëzore për Sajmir Tahirin. Nuk e njoh në brendësi çështjen e tij, por di të them që më vjen keq nga ana njerëzore për Tahirin si person. Për sa i përket besimit te drejtësia, nuk mund të flitet në përgjithësi, por është bërë shumë punë nga kjo qeveri. Për deklarat e Tahirit para mediave, është e kuptueshme nga ana e tij, është e lexueshme, por nuk na takon ne të gjykojmë ndjesitë e tij.

Tufa: A ka kosto politike për Tahiri?

Spiropali: Ky është një pozicion i vështirë për të së pari. Ne në PS e ndajmë politikën nga drejtësia, nuk jemi përzjerë asnjëherë te drejtësia. Uroj që dhe kolegët tanë të bëjnë të njejtën gjë.

Tufa: Në fund të fjalës së tij, Tahiri tha se ka qenë dhe është kampion, në këndvështrimin tuaj, si ish-koleg, a është Tahiri ministri kampion?

Spiropali: Askush nuk mund t’ja mohoj Tahirit punën e tij, energjinë e tij në PS, si kryetar i Tiranës dhe ministër i Brendshëm. Pra nuk mund të mohojmë atë që ai ka qenë dhe ka bërë.