Shkoi deri në Rusi për të takuar gruan e parë të Dritëroit, ja çfarë thoshte Sadija për Ninën

Jo të gjithë e njohin historinë e shkrimtarit Dritëro Agolli dhe dashurinë e tij me gruan para Sadijes, rusen e bukur Nina.

Agolli ishte një nga ata student që u dërguan nga shteti me bursë për të studiuar në Shën Petërburg (në atë kohë kur Bashkimi Sovjetik ishte pjesë e kampit komunist Shën Petërburgut ia kishin ndërruar emrin dhe quhej Leningrad).Në moshën 25-­vjeçare Dritëro Agolli u kthye nga Bashkimi Sovjetik dhe nisi punën në Tiranë fillimisht si gazetar, ku u dallua për përkushtimin e tij ndaj njerëzve të punës. Madje presioni politik i kohës e detyroi shkrimtarin të ndahej edhe me gruan e tij të parë Ninën. Pas prishjes së marrëdhënieve me ish-­Bashkimin Sovjetik, Partia Komuniste propagandoi edhe divorcet e shqiptarëve të martuar me gratë ruse.

Me gruan e parë Dritëro Agolli pati një djalë Arjanin. U martua për të dytën herë në moshën 34-­vjeçare me Sadijen, më 4 tetor të vitit 1965, me të cilën ka dhe dy fëmijë, Artanin dhe Elonën. Në Rusi, Agolli u kthye vetëm pas rënies së komunizmit, pas 31 vitesh që nga ndarja e tij me gruan e parë, ku pati një takim mallëngjyes me të birin.

Por çfarë mendonte Sadija për të gjitha këto?

Asaj iu kushtuan poezi pa fund dhe kushtime nga Dritëroi derisa ai mbylli sytë. Ajo i rrinte pranë në dhomën e drunjtë e priste e përcillte miqtë e tij devollitë, mbushte gotat e rakisë dhe ishte mendja e tij dytë. Ishte, një dashuri e bukur 52-vjeçare.

Jemi takuar herën e parë në dasmën e Elena dhe Ismail Kadaresë, pastaj disa herë në Lidhjen e Shkrimtarëve. Më pëlqeu ai njeri që bënte jetë boheme me pije, humor e shokë. Kështu u miqësuam. Shkova disa herë edhe në shtëpinë e tij, u njoha me prindërit, derisa një natë vendosa të qëndroja aty dhe kësisoj e ndava mendjen të bëhesha gruaja e tij”.

Në fillim prindërit e saj nuk pranuan që vajza e tyre 21-vjeçare të martohej me një 32-vjeçar, që për më tepër kish qenë një herë i martuar. Dikur ata u bindën dhe Sadija mori dhe bekimin e tyre.

Se ç’mund të thoshin të tjerët, përfshirë edhe shoqet e saj të shkollës, Sadije Agollit nuk i bëhej shumë vonë. Nëse Dritëroi sapo ishte ndarë nga rusja e tij, dhe këtë e dinin të gjithë, aq më mirë. Edhe pse kur, ende studente e gjuhë letërsisë, bashkë me shoqet e saj guxonte t’i binte telefonit të shkrimtarit dhe të xhelozonte gruan e tij, që përgjigjej dhe donte të dinte se ç’ishin ato vajza që telefononin aq shpesh për burrin e saj, Sadija nuk e kishte menduar kurrë se një ditë do t’ia zinte vendin dhe do të bëhej zonjë në shtëpinë e Agollëve.

Kështu ata kishin nisur një jetë të lumtur me Dritëroin e më pas edhe me dy fëmijët e tyre Elonën dhe Artanin, të cilët do të merrnin vesh pak më vonë se kishin edhe një vëlla më të madh, që jetonte në Rusi.

Kishin vendosur që kur fëmijët të ishin rreth moshës dhjetë vjeç t’ua tregonin të vërtetën, por nëna e Dritëroit i kishte ruajtur në një valixhe prej druri fotot e Arjanit, djalit të parë të Dritëroit, dhe një ditë, ndërsa Sadija ishte ende në punë, ua kishte treguar bashkë me historinë. “Ata e pritën shumë mirë dhe natyrshëm, madje më qortuan që nuk u kisha treguar më parë”. Por Sadija kishte pritur thjesht që ata të rriteshin pak. Për punë xhelozie nuk kishte vend këtu. “Nuk kam qenë xheloze jo vetëm lidhur me ish-gruan e Dritëroit, të cilën e kisha parë vetëm në fotografi dhe ishte një ruse e bukur tipike, me flokë të verdhë sy të kaltër, por edhe për gratë e tjera që i afroheshin, duke qenë se ai ishte burrë i njohur dhe tërheqës. Unë kam qenë gjithmonë superiore karshi të tjerave. Kisha trup të bukur, isha elegante. Dritëroi ka shkruar poezi për mua dhe më është përkushtuar tërësisht. Pastaj ka qenë një burrë i fortë dhe jo qaraman. Nuk e përmendte ish-gruan e tij, thoshte gjithmonë që ajo ishte kohë e shkuar: tani të kam ty”.

Vetë Sadija u kujdes që pas viteve ’90 të kërkonte Ninën në Rusi. Arriti të gjente një numër telefoni nëpërmjet Nina Mulës dhe pa hezituar aspak i telefonoi. “Isha shumë e emocionuar dhe më dridhej zëri, po ashtu si edhe asaj”. Që aty u rivendosën lidhjet dhe të parët që do të niseshin drejt Rusisë për të takuar Ninën dhe Arjanin (djali i parë i Dritëroit) ishin Elona dhe Artani. “I blemë Arjanit një kostum, kurse unë i dërgova Ninës një copë për fustan. Kur u kthyen, Artani më tregonte se Nina e pyeste shpesh për mua. Për shembull, i thoshte se a e kisha belin e hollë, a isha e bukur?”.

Më pas edhe Dritëroi u nis drejt Rusisë për të takuar djalin dhe ish-gruan. Kurse Sadija nuk arriti ta takonte asnjëherë. “Njëherë që shkuam në Rusi bashkë me Dritëroin, Nina nuk doli se ishte e sëmurë. Ose të paktën kështu tha. Mund të ishte edhe e emocionuar, sepse sipas atyre që më ka treguar Dritëroi, ishte natyrë e ndjeshme”. Megjithatë, edhe po ta kishte takuar, Sadija sigurisht që do të tregohej po aq e sjellshme dhe e dashur. Tani ishte ajo gruaja e shkrimtarit dhe për sa kohë që ish-gruaja e tij ishte në Rusinë e largët, Sadija ishte e qetë të vazhdonte jetën e saj me burrin që dashuronte, paçka se dikur ai kishte pasur një famije tjetër e një grua që kish dashur. Sadija e respektoi deri në fund jetën e dikurshme të Dritëroit dhe jetoi deri ditën e fundit të tashmen me shkrimtarin./Korcajone.al