SHBA e BE veçojnë Lulzim Bashën nga Meta e Berisha, mbështetja që ndryshoi “kursin” e kreut të PD

Bojkoti i Reformës Zgjedhore ishte bërë fakt i kryer nga opozita, pretekstin ia dha kryeministri me shembjen e Teatrit. Kërcënimi i ambasadores amerikane që t’i lënë pazaret e të mos luajnë me “Zgjedhoren” e Reformën në Drejtësi zbythi “dinozaurët” e politikës. Kreu i PD rikthehet në tryezë dhe “harron” Metën për 14 pikat e “Drejtësisë”.

Fillon distancimi

Ilir Meta e Sali Berisha vendosën bllokimin e reformës zgjedhore. Pretekstin ua dha me shumicë Edi Rama, i cili prishi Teatrin Kombëtar duke u gdhirë 17 maji. Dy “dinozaurët” e politikës shqiptare Meta dhe Berisha, e shfrytëzuan duke dhënë dy goditje.

E para i kujtojnë shqiptarëve dhe në veçanti opozitarëve marrëveshjen e 17 majit 2017 mes Bashës dhe Ramës. Duke e goditur kreun e PD në besueshmërinë përballë militantëve dhe votuesve të opozitës.

Përmes makinacioneve të ndryshme tentuan t’i faturonin kreut të PD dhe mungesën e rezistencës ndaj prishjes së godinës së Teatrit. U bënë burim barcaletash për “dezhurnin” se kush e kishte atë natë. Por kjo nuk i pengoi aktivistët që të sulmonin si Bashën ashtu dhe Monikën për tradhëti.

Në të vërtetë pazari për prishjen e godinës u arrit nga ata që kanë në dorë fatin politik të tre partive kryesore në vend, Rama, Berisha dhe Meta. E kanë mbështetur dhe Basha e Monika.

Goditja e dytë e Metës e Berishës ishte ndaj Reformës Zgjedhore dhe asaj në Drejtësi. Praktikisht Këshilli Politik për këtë reformë ishte bllokuar që nga shembja e Teatrit, pasi opozita refuzoi dy tryeza njëra pas tjetrës, duke e lënë “Zgjedhoren” në vendnumëro. Ndonëse ka afat përfundimi, 31 majin. Dy krerët reale të opozitës e kishin ndarë mendjen për bllokimin e kësaj reforme.

Gjithçka ka ndryshuar ditën e premte, ku paralajmërimi i ambasadores amerikane Yuri Kim ka zbythur drejtuesit zyrtarë të politikës. Yuri Kim kërcênoi se duhen të lihen pazaret dhe lojrat me dy reformat më të rëndësishme në vend.

I pari që iu përgjigj thirrjes së ambasadores së SHBA ishte Lulzim Basha, i cili garantoi pjesëmarrjen në Këshillin Politik. Madje dhe mblodhi ekspertët e Reformës Zgjedhore. Kreu i PD deklaroi se kurrë nuk e ka menduar bllokimin e kësaj reforme. Ndërsa për 14 pikat e platformës së Metës për Reformën në Drejtësi, Basha tha se dinte diçka por nuk kishte gjë në tavolinë. Të njejtën deklaratë për “Zgjedhoren” bëri dhe kryetarja e LSI Monika Kryemadhi.

Menjëherë mbështetja amerikane dhe e BE nuk mungoi për Bashën.

Në fillim ishte Yuri Kim ajo që vlerësoi qëndrimin e kreut të PD, pastaj doli dhe Luigi Soreca dhe e mbështeti. Pa llogaritur përshëndetjen bizare të Edi Ramës, po vihet re një përpjekje e shtuar e SHBA e BE për të veçuar Lulzim Bashën nga Sali Berisha dhe Ilir Meta.

Duke e ditur këtë mbështetje të plotë nga partnerët tanë ndërkombëtarë, kreu i PD ndryshoi menjëherë “kursin” radíkal, duke iu rikthyer institucioneve. Ai deklaroi se vetëm me votën e lirë dhe një drejtësi të mbështetur nga partnerët, shqiptarët mund t’ia dalin. Distancimi ka filluar!/Pamfleti