Rama pranon tryezën edhe mbi ‘Drejtësinë’, por me praninë e ndërkombëtarëve: Të gjithë të hapin letrat!

Rifillojnë diskutimet për ndryshimin e Reformës në Drejtësi, frikë e cila ka sjellë reagimin e ashpër të ndërkombëtarëve, megjithatë kryeministri Edi Rama u tregua i kujdesshëm duke thënë se këto ndryshime duhet të bëhen vetëm me dakordësinë e tyre. Kreu i qeverisë ka pranuar ofertën e presidentit Meta për t’u ulur në një tryezë për ndryshime në Reformën në Drejtësi dhe për Integrimin me karta të hapura, siç ai e cilëson, por e mohoi që të jetë njohur me planin prej 14 pikash të kreut të shtetit.

“Presidenti nuk më ka dorëzuar asnjë platformë, por jam gati të ulem në çdo moment me të, me opozitën brenda/jashtëparlamentare e me partnerët e Reformës në Drejtësi, që t’i vëmë pikat mbi “i” të gjitha pikave të të gjitha palëve në shqip/anglisht, se teatri ra, iku e na la. Jemi në prag të miratimit të Planit të Veprimit për Negociatat në Këshillin Kombëtar të Integrimit, s’ka rast më të mirë që Presidenti, Opozita, Institucionet e Drejtësisë,Partnerët Ndërkombëtarë për Drejtësinë dhe Integrimin, të mblidhen URGJENT në një tryezë me karta të hapura. Presidenti t’i lerë apelet natën për 20 burra e ditën për 11 pika! Opozita t’i lerë ultimatumet trupore e sharjet fëminore! Të dy bashkë ta lenë teatrin e mbledhjeve të komitetit të shpëtimit, se Shqipëria, parlamenti, qeveria, s’kanë kohë të luajnë “e ka kush e ka” dezhurnin”, shkruan Rama.