Ndiheni të uritur vazhdimisht? Këto janë disa arsye të fshehta

Pas konsumit të një vakti të plotë ndjesia e urisë normalisht duhet të zbehet për disa orë në vazhdim. Por, ka raste që uria shfaqet sërish, shumë shpejt dhe në mënyrë te vazhdueshme. Kjo “uri” eshte false dhe gjithkush duhet të zbulojë arsyen përse i ndodh, në mënyrë që të evitojë konsumin e panevojshëm të kalorive të tepërta dhe shtimin e padëshirueshëm në peshë. Më poshtë renditen disa nga arsyet përse ndiejmë uri edhe kur kemi ngrënë.

Mungesa e gjumit

Gjumi është një ndër rregullatorët kryesor të konsumit të ushqimit pasi lidhet me funksionin e dy hormoneve që sinjalizojnë urinë dhe ngopjen. Pagjumësia mund të shkaktojë ndjesinë e urisë së vazhduesme dhe çrregullim të konsumit të ushqimit.

Dehidratimi

Sensorët e urisë dhe etjes janë vendosur shumë pranë në hipotalamusin e trurit. Kështu, etja mund të perceptohet si “uri” shumë e lehtë. Bëni provë, kur të ndieni uri të pashpjegueshme, konsumoni ujë në vend të ushqimit dhe prisni pak minuta. Ka shumë gjasa që uria të zhduket.

Stresi

Kur trupi gjendet nën stres, ai prodhon hormone të lidhura me të, që janë kortizoni dhe adrenalina. Këto dy hormone nxisin konsumin e energjisë në mënyrë që të përballojmë një situatë të vështirë, për këtë arsye sinjalizojnë trurin që të çlirojë hormone që shkaktojnë uri.

E ngrëna shpejt

Pas konsumit të një vakti, nevojiten rreth 20 minuta që truri të marrë sinjalin e ngopjes. Gjatye kësaj kohe, nëse vazhdojmë konsumin e ushqimit, ka shumë gjasa që të jemi duke marrë më shumë kalori nga sa nevojitemi. Është e nevojshme të hamë ngadalë dhe t’i japim kohë sinjaleve të brendshme të na udhëzojnë siç duhet.

Mungesa e yndyrave dhe/ose proteinave në ushqim

Ushqimi i varfër në yndyra dhe proteina e lë organizmin të paplotësuar dhe sensori i urisë rri “i ndezur”. Marrja e yndyrave esenciale si vaji i ullirit, gjalpi i bagëtive të rritura me gjelbërim, avokado, arrat, bajamet dhe farat e ndryshme ndihmon të ndihemi më shpejt të ngopur, ndërsa marrja e proteinave në çdo vakt ndihmon që ngopja të zgjasë më shumë.