“Mos e shihni si hata marrëveshjen Rama-Basha”, Nard Ndoka nxjerr prapaskenat dhe zbulon datën kur do të mbahen zgjedhjet në vend

Kreu i demokristianëve Nard Ndoka ka komentuar ecurinë e Reformës Zgjedhore dhe mundësinë e ndryshimit të sistemit.

I ftuar në FaxNews Ndoka tha se ndryshimi i sistemit ka qenë një nga diskutimet e vazhdueshme edhe brenda opozitës, por nuk është një vendim që mund të merret brenda muajit, në një kohë që opozita e vërtetë është jashtë institucioneve. Ndoka tha se është e nevojshme që të rritet demokracia e brendshme e partive, ku të jenë vetë anëtarët ata që zgjedhin dhe listat e deputetëve.

“Ka pasur një volum pune i bërë që në kohën kur ne kemi qenë pjesë e Kuvendit të Shqipërisë. Ka elemente të Reformës Zgjedhore që japin garanci për pasqyrimin e drejtë të votave të qytetarëve. Zoti Basha ka qenë i hapur për ndryshimin e sistemit, por është proces shumë delikat që kërkon përfshirjen e aktorëve politikë, por nuk është marrë nisma për ta bërë pjesë të debateve publike. Unë nuk e shoh ndryshimin e sistemit për një periudhë njëjavore, sistemi aktual na penalizon ne që jemi në partitë e vogla, pasi merren votat tona dhe iu jepen partive të mëdha.

Ka shumë elementë që duhet të merren në konsideratë, pasi ne nuk mund të kalojmë nga shiu në breshër. Do ishte e mira që ne ta hapim që tani debatin, sistemi mazhoritar që ne kemi pasur ka qenë më i miri, pasi ka një përfaqësim më të mirë të qytetarëve. Ne duhet të marrim në analizim disa lloje sistemesh, që të mund të krijojmë një standard. Do të ishte shumë interesante që kandidatët për deputet, të zgjidheshin nga anëtarët e vetë partive, kryesisht të atyre të mëdhaja, pasi duhet të funksionojë demokracia e brendshme.

Duke marrë në konsideratë PS-në ne e dimë që listat e Ramës janë individë ushtarë të bindur të tij. Ne e pamë se çfarë ndodhi në Këshillin Bashkiak të Tiranës, ku pati një dakordësi 100% të këshilltarëve për prishjen e Teatrit Kombëtar.

Ndryshimi i sistemit ka qenë një diskutim i vazhdueshëm me zotin Basha, edhe pse kjo axhendë është devijuar së pari nga mazhoranca, dhe devijimi më pas duke e çuar debatin vetëm te listat e hapura. Listat e hapura janë avantazh për ne që jemi parti të vogla.

Ne shohim çlirimin e sistemit zgjedhor, që të debatohet në një kohë të përshtatshme, kemi një opozitë jashtë parlamentit, dhe në kushtet e tilla politike, nuk ka mundësi reale për ta bërë një debat të tillë”, tha Ndoka.

Më pas aleati i PD-së komentoi dhe zërat për një marrëveshje Rama-Basha, kur tha se nuk ka asgjë për tu çuditur, pasi politika ka në bazë të saj marrëveshjet dhe konsensusin. Sipas Ndokës në muajin Tetor vendi do të shkojë në zgjedhje, ndoshta fillimisht do të mbahen ato për qeverisjen vendore, që do të shërbejnë dhe si një test për zgjedhjet parlamentare.

“Është normale që në politikë të ketë marrëveshje dhe konsensuse, ky ështe thelbi i politikës, nuk është hataja, është e mira që ne të mos kemi gabime të tilla si ai i 17 Majit. Ajo që vërej unë është se në Tetor do të kemi zgjedhje, nuk mund ta themi nëse do të jenë ato për Kuvendin, ato lokale. Shpresojmë që të ketë një vendim nga ana e gjykatës Kushtetuese, për të bërë zgjedhjet lokale, nuk kemi një kryeministër që qeveris”, tha më tej Ndoka.