Paketa e Covìd-19, zv.ministrja shpjegon: Ja kush do përfitojë nga paga minimale

Zv. Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Vasilika Vjero, kë shpjeguar se kush do të përfitojnë nga paketa e qeverisë në lidhje me situatën e krijuar nga Covìd-19.

Vjero tha se janë rreth 13 000 taksapagues që do të përfitojnë nga kjo paketë dhe rreth 60 000 të punësuar ndërsa shtoi se këta të punësuar do të kenë mundësi të marrin pagën minimale prej 26 000 lekësh duke filluar nga muaji prill e deri në muajin qershor të këtij viti, thotë ajo në një lidhje me Skype me Ora News.

“Qeveria shqiptare në përgjigje të situatës nga Covìd-19 ka miratuar një paketë të ndihmës financiare, ku pjesë e kësaj pakete do të jetë edhe financimi i personave që të zhvillojnë aktivitetin e tyre të punësimit, në një kategori të bizneseve që tashmë janë mbyllur. Janë rreth 13 000 taksapagues që do të përfitojnë nga kjo paketë. Nuk do të përfitojnë vetëm kompanitë, por edhe të punësuarit e tyre në mënyrë të drejtpërdrejtë. Këta mund të jenë të vetëpunësuar, me punëmarrës, punonjës të papaguar të familjes që nuk marrin pagë por kontribuojnë në biznesin familjar.

Janë rreth 60 000 të punësuar të cilët do të kenë mundësi duke filluar qysh nga muaji prill, maj dhe qershor të cilët do të marrin pagën minimale 26 000 lekë. Kjo ndihmë është e fokusuar në ata tatim pagues të cilët i përkasin fashës së qarkullimit 0-14 mln lekë. Sigurisht kjo fashë është më e prekura, të cilët kanë një biznes të vogël dhe janë të lidhur me pagesat e dhe likuiditetin ditor.

Me anë të një VKM-je është përcaktuar se do të jetë Drejtoria e Tatimeve që do të merret me këtë proces, ku tatimpaguesit duhet të bëjnë një kërkesë në mënyrë elektronike Drejtorisë së Tatimeve. Sistemi ynë i deklaratave dhe pagesave është i gjithë online, prandaj nuk do të ketë asnjë vështirësi dhe pengesë për të prezantuar kërkesën e tyre. Kërkesa e tyre duhet të përmbajë jo vetëm të dhënat për biznesin e tyre, por edhe për punonjësit e tyre, të dhënat e tyre të identifikimit dhe llogaritë e tyre bankare, ku do të derdhet shuma.

Pjesë e kësaj pakete ndihme ekonomike do të jetë edhe ata që marrin ndihmë ekonomike, por edhe ata që janë në listën e papunësinë. Fondi për këto dy kontingjente do të jetë i dyfishuar”, tha Vjero.