Një tjetër lagje në kryeqytet bëhet me rrjet të ri ujësjellësi, furnizim cilësor me ujë të pijshëm

Banorët e rrugës “Petro Nini Luarasi” në kryeqytet, nuk do të kenë më probleme me furnizimin me ujë të pijshëm. Pas investimit të ri në rrjetin e ujësjellësit, UKT ka bërë të mundur eliminimin e problematikave me të cilat janë ndeshur deri më tani banorët e kësaj zone. Ndërhyrja e punonjësve të Bashkisë së Tiranës në rrjetin e ujësjellësit garanton kështu furnizim me ujë të pijshëm, me të gjitha parametrat dhe cilësinë e duhur për ta përdorur atë.

Ndërkaq, gjatë ditëve të fundit një tjetër investim është kryer edhe në rrugën “Spahiu”, ku specialistët e UKT implementuan rrjetin e ri të kanalizimeve. Nisur nga kërkesat e qytetarëve, gjatë ditëve të fundit grupet e punës të UKT kanë ndërhyrë edhe në zona të tjera të kryeqytetit, për t’i dhënë zgjidhje çdo problematike të krijuar në çdo cep të Tiranës.