120 makina luksoze në ‘sitë’, policia detyron ‘bosat’ të plotësojnë formularin

Në kuadër të paketës Anti-KÇK policia vijon kontrollet e makinave luksoze pa dokumente, të vjedhura apo me ndërhyrje në numrin e shasisë dhe deri më tani raportohet se në sitë janë vënë rreth 120 automjete.

Aktualisht kontrollet janë spostuar në Tiranë dhe në veri të vendit dhe deri më tani ka rezultuar se 10 makina janë me probleme, të vjedhura e me shasi të modifikuar.

Deri më tani katër persona drejtues të makinave luksoze që kanë dalë me probleme janë proceduar në gjendje të lirë. Shumë prej tyre i kanë marrë automjetet pa e ditur që janë të vjedhura ndërsa blerjen e kanë bërë me dokumenta të rregullta në shtetin shqiptar.

Në verifikim janë marrë një numër i konsiderueshëm automjetesh dhe sakaq njoftohet se janë ngritur pika kontrolli në disa qytete kryesore të vendit.

Për kontroll ndalohen makina në dukje luksoze dhe që janë prodhime të vitit 2015-2020. Pas verifikimit makinat që nuk rezultojnë me probleme u kthehen pronarëve.

Kurse për makinat me probleme, pas bllokimit po vijon procedura për verifikimin e tyre, ku të dhënat do të kalojnë në filtër edhe nga OFL. Bëhet me dije se në komisariatin e Tiranës rreth 10 makina janë në proces verifikimi.

Drejtuesit e mjeteve janë të detyruar që në momentin që ndalohen të plotësojnë një formular ku deklarojnë të ardhurat me të cilat kanë blerë makinën dhe origjinën e mjetit për të bërë më pas verifikimin nëse rezulton me probleme ose jo.

Sipas njoftimit të policisë Vlorë, janë ndaluar dhjetëra automjete të cilat pas verifikimit janë dërguar në komisariat