Rama, te Spitali i ri i Kirurgjisë: Hudhrat do ua sjell nesër, mos t’ju marrin më sysh. Ne katunarët, s’kina shkollë, por…

Veprën më të madhe të 90 viteve në Shqipëri në shëndetësinë e vendit, për nga cilësia dhe thellësia e projektit dhe kapacitetet e ka quajtur kryeministri Edi Rama, spitalin e ri të Kirurgjisë, “Frederik Shiroka”.

Në ceremoninë e mbajtur sot për hapjen e këtij spitali, Rama ka theksuar se spitali është i parametrave më bashkëkohorë.

“Askush nuk e ka parë situatën që ishte me pajisjet mjekësore, gërshërët që nuk prisnin, pincat që nuk kapnin dhe instrumentet që sterilizoheshin me alkool. Jam shokuar kur kam parë raportin mbi infeksionet postoperatore, edhe si rezultat i instrumenteve mjekësore në dispozicion. Nga ana tjetër, më vjen mirë ta përmend këtu atë që ju e dini, me gërshërët që nuk prisnin dhe instrumentet që sterilizoheshin me alkool. Edhe ky është një transformim i madh, që u bë i mundur falë modelit të mallkuar PPP.”- tha ai.

Teksa mbante fjalën, diçka është rrëzuar dhe Rama nuk ka lënë pa e komentuar mes batutash. “Si nga katundi që jam, një katund këtu afër, do t;ju sjell një varg hudhrash ti varnin te dera. Ne katunarët si i thonë nuk kina shkollë, por kina eksperiencë, hudhrat do ua sjellë nesër që mos t’ju marrin më sysh”- tha ai.

Më tej, Rama ka çmuar PPP në shendetesi. “Nuk e di, nuk është as detyra dhe as detyrimi juaj, por nuk besoj të ketë një mjek të vetëm që të ishte dakord që ne të ndërpisnim financimin për instrumentet mjekësore, pse se na qenkej një PPP, ndërkohë që sigurisht nuk do të kuptojë, nëse ne sot e kemi kapacitet për instrumente, kjo vjen si rezultat i investimeve që ka bërë privati, nuk është marrja e lekëve nga shteti dhe dhënia privatit, por te mirëkuptimi që privati investon para që shteti nuk i ka në ato moment të gjitha bashkë, e kur mbaron shlyerja nga ana e shtetit merr në dispozicion atë që është investuar”- tha ai.

Spitali i ri “Frederik Shiroka” çon në një tjetër nivel shërbimet mjekësore në Shqipëri.

• 7 salla moderne operacioni për kirurgjinë e përgjithshme, kirurgjinë speciale dhe urologjinë

• Aparatura mjekesore të teknologjisë së fundit

• Njësi terapie intensive me pajisje bashkëkohore dhe kushte optimale

• Laborator i nivelit të lartë teknologjik

• 120 shtreter dhe dhoma me kushte si në spitalet më të mira të Europës për pacientët.