Kompromisi PS-PD-LSI/ Dashamir Shehi zbulon planin e marrëveshjes, kur do të ketë zgjedhje të parakohshme

Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi tha se tryeza me qeverinë për reformën zgjedhore është hap i vogël, por i rëndësishëm.

Shehi tha se kompromisi i arritur nuk duhet të anatemohet. Ai u shpreh se zgjedhjet të parakohshme duhet të mbahen para verës.

“Ky është një hap i parë, i vogël, por i rëndësishëm. Sot kemi një letër procedure”, theksoi Dashamir Shehi.

I ftuar në emisionin “Tempora” në RTV Ora, përballë Sonila Meçot, ai shtoi se “Edi Rama e ka kërkuar me kohë, çfarë humbën dhe çfarë kërkuam.”

“Shqiptarët kanë humbur kohën. Unë kam menduar që procedurat do të ecnin më shpejt. Nëse kjo i mbetet vetëm tavolinave kjo nuk lëviz. Këtë punë nëpër botë e lëviz piaca. Kemi mbërritur në një kompromis, është e kot ti vëmë emra”, theksoi Dashamir Shehi.

“Unë do të isha për këtë që askush mos e anatemojë këtë kompromisin për këtë punë që filloi. Substanca që ta mbushim këtë reformë të jetë serioze. Unë kam thënë një batutë. “po e lamë bosh, kjo është një kaush gështenjash. Po i futëm gështenja atëherë po”. Kemi një kohë të shkurtër. Kemi rënë dakord në princip që po nuk u rregullua çështja e vjedhjes së votave nuk kanë rëndësi të tjerat”.

Shehi zbuloi edhe planin e marrëveshjes, PD-PS-së dhe LSI.

“Linja ime është kjo: Në do kapërdinim çdo kompromisi në shkëmbim të një palë zgjedhjeve që do bëheshin këtë pranverë. Zgjedhjet që bëhen në janar të vitit tjetër nuk janë të parakohshme. Atëherë shkojnë në mënyrë logjikë ne 2021”.

Ai e sheh të mjaftueshme kohën, që partitë deri në janar të vitit që vjen, të ndryshojnë sistemin zgjedhor dhe të përgatisin terrenin e duhur, për zgjedhje normale.

“Do të thoja një gjysmë detyrimi. Ditën që ne shkojmë qetë qetë në zgjedhjet e 2021 unë gjykoj që në mënyrë të detyrueshme duhet ndryshuar sistemi”.

Besohet se në janar 2021 do të ketë njëkohësisht zgjedhje parlamentare dhe lokale, për të lënë pas krìzën, pas daljes së opozitës nga Kuvendi.