Tërmeti/ Arben Ahmetaj zbulon çfarë plani do prezantojë nesër kryeministri Rama

Ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave Arben Ahmetaj, shprehet se për të gjithë të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit që kanë mbetur të pastrehë, do të ndërtohen shtëpi dhe qyteza me çdo standard.

I ftuar në emisionin “Real Story”, Ahmetaj tha se kryeministri Rama do të prezantojë vetë nesër programin e Rindërtimit, për strehimin e të gjithë të prekurve nga tërmeti.

“Është një grup që drejtohet nga Blendi Çuçi dhe po bën vlerësimin. Vlerësimi po bëhet. Qytezat do të ndërtohen me standarde. Do të ndërtohen shtëpi në qyteza urbane me standarde. Do jenë verifikuar familjet që nuk kthehen dot më, do jetë lista e saktë, pas verifikimeve serioze dhe do të strehohen në këto qyteza. Do të kemi program më vete që do të quhet programi i rindërtimit. Nesër e prezanton Rama. Nuk do ketë asnjë rritje taksash. Skema e financimit është e kombinuar me të gjitha, që nga kursimet, nga donatorët, nga ndihmat, nga kredi me interesa minimale. Do të jenë të përfshirë të gjithë elementet. Buxheti nuk do të preket aspak”, u shpreh Arben Ahmetaj.