Mbrëmjen e djeshme u luajt sfida Shqipëri-Francë, ku kombëtarja kuqezi humbi me rezultatin 0-2 përballë gjelave.
Mirëpo, pavarësisht rezultatit, të gjithë vëmendjen e mori inaugurimi i stadiumit të ri kombëtar “Air Albania”.
Një inaugurim që pothuajse dështoi, pasi u vunë re shumë defekte, duke parë që ishte vetëm ndeshja e parë.
Pas fushës së dëmtuar, mungesës së ujit në tualete apo edhe radhëve të gjata të krijuara gjatë daljes nga stadiumi, duket se edhe organizatorët e ceremonisë së inaugurimit nuk kanë ngelur mbrapa për gafa.
Në hapje të ceremonisë, stadiumi i ri shqiptar u inaugurua ndër të tjera dhe me firmën simbolike të Presidentit të UEFA-s Aleksander Ceferin, por një gabim i dukshëm u ka shpëtuar organizatorëve.
Në ceremoninë e inaugurimit, firmat u vendosën në një tabelë ku pikërisht fjala ‘inaugurim’ ishte shkruar gabimisht në gjuhën angleze. Në vend të inauguration, ‘organizatorët’ e kishin shkruar ‘inaguration’.